Allegri pas fitores ndaj Napolit: Frymës kuqezi i përgjigjemi me inteligjencë, si Modriç

milan - napoli
Milan - Napoli

Massimiliano Allegri vlerësoi “frymën e jashtëzakonshme” të Milanit pas fitores 2-1 ndaj Napolit, duke theksuar se Luka Modric është shembulli ideal i lojtarit që fiton topa jo me forcë, por me zgjuarsi.

Kuqezinjtë e nisën në mënyrë perfekte, duke kaluar në avantazh 2-0 brenda 31 minutash falë formës së shkëlqyer të Christian Pulisic, i cili asistoi për Saelemaekers dhe më pas realizoi vetë golin e dytë.

Megjithatë, dinamika e ndeshjes ndryshoi kur Pervis Estupiñán u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrjen ndaj Di Lorenzos, ndërsa Kevin De Bruyne ngushtoi shifrat me penallti. Napoli shtoi presionin në fund, por nuk arriti të barazonte, pavarësisht goditjes së David Neres që përfundoi në shtyllë.

 

 

 

 

Allegri: “Një fitore me karakter ndaj një ekipi cilësor”

“Ishte një test shumë i vështirë kundër një skuadre me cilësi si Napoli”, tha Allegri për DAZN Italia.
“Pjesa e parë ishte shumë pozitive. Më pas, me 10 lojtarë, e përdorëm si një stërvitje mbrojtjeje. Në situata të tilla je i detyruar të përballosh rrezikun, por djemtë u sollën me maturi.”

Milan regjistroi fitoren e pestë radhazi mes kampionatit dhe Kupës së Italisë, me vetëm një gol të pësuar dhe 11 të shënuar në total.

“Ky është vetëm një hap përpara, duhet të vazhdojmë të punojmë. Fryma që treguam, ajo aftësi për të vuajtur e për të duruar presionin, është çelësi për t’u rritur si skuadër.”

Modriç, shembulli i përkryer i inteligjencës në fushë

Në moshën 40-vjeçare, Luka Modric vazhdon të tregojë vlerë, jo vetëm në ndërtimin e aksioneve, por edhe në aspektin mbrojtës.

“Modric nuk ka nevojë të hyjë në duele – ai e fiton topin përmes vendosjes dhe parashikimit. E mbyll kanalet e pasimeve dhe fiton duele me ndërprerje të zgjuara”, u shpreh trajneri.

Leao dhe ndryshimi taktik

Allegri konfirmoi rikthimin e Rafael Leaos pas dëmtimit muskulor, ndërsa përmendi edhe progresin e Nkunku.
“Jemi duke eksperimentuar me skema të ndryshme, si 3-5-2, në varësi të lojtarëve në dispozicion. Ndryshimet në taktikë varen nga roli i mesfushorit ofensiv – nëse është më mbrojtës apo sulmues. Po testojmë alternativa gjatë stërvitjeve.”

Përballje emocionuese me të kaluarën: Milan-Juventus

Milan ndan tani vendin e parë në Serie A me Napolin dhe Romën, me nga 12 pikë. Një kthesë mbresëlënëse pas humbjes në ndeshjen hapëse ndaj Cremoneses.

“Futbolli është i çuditshëm – ndaj Cremoneses Maignan nuk pati asnjë pritje për të bërë, por u ndëshkuam nga dy gabime tona”, tha Allegri.

Tani e pret një tjetër sfidë e madhe: përballja me ish-skuadrën e tij, Juventusin.

“Është paksa e çuditshme, sepse kam qenë në të dyja anët – fillimisht te Milani, pastaj te Juventusi dhe tani sërish këtu. Por gjithmonë mbetet një ndeshje e mrekullueshme!”