
Kampioni aktual i Italisë, Napoli, ka qenë aktiv në këtë afat kalimtar me disa përforcime të rëndësishme, ndërsa për përgatitjet dhe sezonin e ri ka folur mbrojtësi kosovar, Amir Rrahmani.
Nga kampi stërvitor në Dimaro, Rrahmani ka vlerësuar më të lehtë fazën përgatitore të këtij viti në krahasim me sezonin e kaluar, që sipas tij ishte më e vështira.
“Të gjithë lojtarët që janë afruar janë të talentuar. Nuk kanë ardhur këtu rastësisht. Ata kanë luajtur për ekipe të forta dhe klubi i ka zgjedhur për një arsye. Të gjithë janë vërtetë të mirë”, ka thënë Rrahmani për “Sky Sport”.

Ndër përforcimet më të mëdha është mesfushori belg Kevin De Bruyne, i cili erdhi nga Manchester City, si dhe mbrojtësi Sam Beukema, që së shpejti pritet të bashkohet me skuadrën në stërvitje. Beukema më parë ishte pjesë e Bolognas.
“De Bruyne dinte shumë për Napolin para se të vinte. Ai i ka pyetur disa bashkëlojtarë te Belgjika. Ka shumë kualitet. Zakonisht kur shkon te ndonjë skuadër e re duhet të mësohesh të bësh atë që kërkon dhe dëshiron trajneri. Por, padyshim se De Bruyne është prej më të mirëve në skuadër”.
“Sa i përket Beukemas, unë gjithmonë mundohem t’u flas mbrojtësve të rinj që transferohen. Ne duhet t’i mësojmë lëvizjet e njëri-tjetrit. Kjo është e rëndësishme, lëvizja në fushë, që do ta bënte punën edhe më të lehtë për mua”, theksoi Rrahmani.

Amir Rrahmani është një nga shtyllat e prapavijës së Napolit dhe ka fituar dy tituj në Serie A me klubin napolitan.