Serbia - Anglia

Anglia e ka siguruar tashmë vendin e parë në grup dhe kualifikimin direkt në finalet e Kupës së Botës 2026. Ndeshjet e mbetura ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, të cilat zhvillohen në kuadër të përmbylljes së fazës kualifikuese, nuk përbëjnë më rrezik për “Tre Luanët” – por mbeten vendimtare për fatin e kuqezinjve.

Trajneri Thomas Tuchel ka bërë të ditur se, pavarësisht mungesës së presionit, Anglia do të hyjë në fushë me qëllime të qarta: forcimin e strukturës taktike, qartësimin e hierarkisë brenda skuadrës dhe testimin e disa kombinimeve të reja pa sakrifikuar identitetin e lojës. “Pse të mos vrapojmë? Pse të mos e bëjmë punën tonë? Kemi ende shumë për të dëshmuar për veten tonë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, nga këndvështrimi shqiptar, fati i Kombëtares është i lidhur ngushtë me atë që ndodh në përballjet e tjera të grupit. Një fitore e Shqipërisë nesër ndaj Andorrës, e kombinuar me një rezultat tjetër përveç fitores së Serbisë ndaj Anglisë, do ta siguronte matematikisht vendin e dytë për Shqipërinë dhe do ta dërgonte atë në play-off.

Formacioni i mundshëm i Anglisë – pa eksperimente të rënda

Tuchel ka përjashtuar idenë e eksperimentimeve të mëdha, edhe pse përmendi mundësinë për ta testuar Phil Foden si një “false 9”. Ai synon të konsolidojë skemën 4-3-3 me një mesfushë të balancuar dhe lojtarë të pozicionuar natyrshëm sipas profileve të tyre.

Pritet që në Kupën e Botës titullarë të jenë:

  • Portier: Jordan Pickford

  • Mbrojtje: Reece James, John Stones, Konsa/Marc Guéhi; në të majtë mbetet dilema mes Djed Spence dhe Nico O’Reilly

  • Mesfushë: Declan Rice, Elliot Anderson, Jude Bellingham

  • Sulm: Bukayo Saka, Harry Kane, Marcus Rashford/Anthony Gordon

Trajneri ka sqaruar se nuk është e mundur të aktivizohen njëkohësisht Kane, Bellingham dhe Foden pa prishur ekuilibrin taktik të skuadrës.

Pas Tiranës, drejt Floridës

Pas përfundimit të këtij cikli në Tiranë ndaj Shqipërisë, Anglia do të zhvillojë miqësore në mars, ku Japonia dhe Uruguai janë kundërshtarët më të mundshëm, përpara se të zhvendoset në Florida për përgatitjet finale për “verën amerikane” të Botërorit.

Nga ana tjetër, Serbia nis një fazë të re nën drejtimin e trajnerit Veljko Paunoviç, ndërsa Shqipëria – me shanse të arta për një arritje historike – do të kërkojë ta mbyllë me fitore dhe krenari fushatën e saj.