Ka përfunduar Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Punës i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili u mbajt sot pas kërkesës së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të ripërsëritur kuvendin e mbajtur më 20 shkurt 2025, pas konstatimit të parregullsive në pjesëmarrjen e dy klubeve të palicencuara.
Delegatët e pranishëm në këtë kuvend votuan të gjitha ndryshimet e kërkuara nga MKRS, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.
Ky hap u ndërmor me qëllim që të rikthehet legjitimiteti i vendimeve të mëparshme dhe të zhbllokohet procesi i përfitimeve nga Ligji për Sponsorizime, i cili ishte pezulluar për të gjitha klubet e futbollit në vend.
Mungesa e këtyre përfitimeve kishte shkaktuar vështirësi të konsiderueshme financiare për klubet, të cilat tashmë presin rikthimin e mbështetjes financiare institucionale.
Fillimisht, përsëritja e kuvendit ishte planifikuar për muajin qershor, por ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të klubeve në garat ndërkombëtare.
Me mbarimin e këtij kuvendi, pritet që MKRS të rifillojë lëshimin e vërtetimeve për klubet.
Fillon Kuvendi i Jashtëzakonshëm i FFK-së pas kërkesës së MKRS për parregullsi!