UEFA ka publikuar sot ranglistën e re të klubeve evropiane, ku janë përfshirë rezultatet dhe pikët e grumbulluara nga sezonet e kaluara, ndërsa për sezonin aktual 2025/26 pikët ende nuk janë shtuar për klubet që vazhdojnë garat.
Ballkani i Suharekës mbetet klubi kosovar më i lartë në renditje, duke u pozicionuar në vendin e 163-të me gjithsej 8000 pikë të fituara nga paraqitjet e suksesshme në katër vitet e fundit në Evropë.
Ky numër nuk përfshin pikët e fituara këtë sezon, pasi skuadra është ende në garë për fazën e grupeve, çka mund ta ngrejë edhe më shumë në listë.
Pas Ballkanit, në vendin e 190-të renditet Drita me 7000 pikë të grumbulluara deri tani, edhe këtu pa llogaritur sukseset e këtij edicioni, ku gjilanasit po vazhdojnë rrugëtimin e tyre evropian.
Prishtina mban pozitën e 333-të, ndërsa gjashtë vende më poshtë gjendet Llapi.
Renditjen e klubeve kosovare në listën e UEFA-s e mbyllin Malisheva, Dukagjini dhe Gjilani, të cilët renditen respektivisht në vendet 373, 374 dhe 375.
Në fund të shtatorit pritet që UEFA të përditësojë pikët për sezonin 2025/26, ku Ballkani dhe Drita do të kenë mundësinë të përmirësojnë ndjeshëm pozitat e tyre, varësisht rezultateve që do të arrijnë në ndeshjet e ardhshme.