Sonte në Dublin, Ballkani do të kërkojë të vulosë kualifikimin në raundin e katërt të Ligës së Konferencës, kur do të përballet me Shamrock Rovers në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë.
Nënkampioni i Kosovës vjen me moral të lartë pas fitores minimale 1-0 në ndeshjen e parë në Suharekë, një rezultat që i jep epërsi të lehtë, por jo të sigurt.
Sfida do të zhvillohet në Tallaght Stadium, aty ku vendasit shpresojnë për një përmbysje të madhe para tifozëve të tyre.
Në anën tjetër, skuadra e Orges Shehit ka objektiv të qartë – të mbrojë avantazhin dhe të sigurojë kualifikimin, pa u mposhtur në kryeqytetin irlandez.
Ballkani, i njohur për organizimin defensiv dhe daljet e shpejta në kundërsulm, pritet të menaxhojë me kujdes lojën, ndërsa Shamrock Rovers do të synojë të shënojë që në minutat e para për të ushtruar presion.
Dueli që mund të përcaktojë fatin e dy skuadrave në Evropë starton nga ora 21:00.