Barcelona e luan ndeshjen kundër Valencias në një stadium dy herë më të vogël se “Fadil Vokrri”!

Johan Cruyff
Johan Cruyff

Më pak se një javë para përballjes së La Ligas ndaj Valencias, FC Barcelona ka konfirmuar se “Spotify Camp Nou” ende nuk është gati për të pritur ndeshje, dhe takimi i së dielës, më 14 shtator, do të zhvillohet në “Estadi Johan Cruyff”.

Klubi publikoi një komunikatë zyrtare të martën mbrëma, duke bërë të ditur se për shkak të licencave të sigurisë dhe aktiviteteve që janë ende në proces për stadiumin që po rinovohet, ndeshja nuk mund të zhvillohet në “Camp Nou”.

Pesë ditë para takimit, është konfirmuar se ndeshja do të luhet në stadiumin me kapacitet prej rreth 6 mijë vendesh, i cili zakonisht shërben si shtëpi për ekipin e femrave të Barcelonës dhe për Barça Atlètic.

“FC Barcelona njofton se ndeshja e javës së katërt të LaLigas, e planifikuar për t’u zhvilluar të dielën, më 14 shtator në orën 21:00 ndaj Valencia CF, nuk do të mund të luhet në ‘Spotify Camp Nou’,” thuhet në komunikatë.

“Klubi po punon intensivisht për të siguruar lejet administrative të nevojshme për hapjen e ‘Spotify Camp Nou’ në javët e ardhshme. Për këtë arsye, ndeshja do të zhvillohet në ‘Estadi Johan Cruyff’.”

Barcelona falënderoi anëtarët dhe tifozët “për mirëkuptimin dhe mbështetjen gjatë një procesi kaq kompleks, por njëkohësisht emocionues, siç është rikthimi në ‘Spotify Camp Nou’”.

Klubi bëri të ditur se së shpejti do të publikojë detaje shtesë për organizimin e ndeshjes dhe procedurat e biletimit.

camp nou
camp nou