Messi

Lionel Messi është rikthyer papritur në “Spotify Camp Nou” të dielën në mbrëmje, duke surprizuar jo vetëm tifozët, por edhe zyrtarët e FC Barcelonës, të cilët sipas raportimeve nuk ishin në dijeni për vizitën e tij.

Ylli i Inter Miami publikoi në Instagram disa foto nga fusha e stadiumit legjendar të Barcelonës, të shoqëruara me një mesazh emocional:

“Mbrëmë u ktheva në një vend që më mungon me gjithë shpirtin. Një vend ku kam qenë pafundësisht i lumtur, ku ju më bëtë të ndihem mijëra herë si njeriu më i lumtur në botë.”

Sipas gazetës SPORT, klubi u befasua nga prania e Messit, pasi askush nga drejtuesit nuk ishte informuar më herët për ardhjen e argjentinasit. Mbetet e paqartë se si ai ka arritur të hyjë në stadium, i cili kishte qenë i mbyllur për publikun deri të premten e kaluar, kur u hap për një ngjarje testuese me 23 mijë tifozë.

Messi ndodhet aktualisht në Spanjë, ku po stërvitet me kombëtaren e Argjentinës në prag të miqësores ndaj Angolës më 14 nëntor në Luanda.

Ish-kapiteni i Barcelonës la të hapur mundësinë për një rikthim të mundshëm, përmes fjalëve prekëse të publikuara:

“Shpresoj që një ditë të rikthehem, dhe jo vetëm për t’u përshëndetur si lojtar, sepse nuk pata kurrë mundësinë ta bëj këtë.”