
Skuadra e Bashkimit vazhdon të forcohet për sezonin 2025/26, duke prezantuar përforcimin e radhës në formacionin portokalli.
Bëhet fjalë për fundorin amerikan Isaiah Cousins, i cili vjen në Prizren pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Inter Bratislava në Sllovaki.
Me përvojë të gjerë ndërkombëtare dhe titullin e MVP-së së Ligës ENBL për sezonin 2024/25, Cousins shihet si një nga emrat kyç në ndërtimin e një skuadre konkurruese për edicionin e ri.
Në kampionatin sllovak, Cousins regjistroi mesatarisht 18.4 pikë, 5.0 kërcime dhe 4.3 asistime për ndeshje, ndërsa në arenën ndërkombëtare, konkretisht në Ligën Veriore Evropiane (ENBL), ai shkëlqeu me 22.3 pikë, 4.5 kërcime, 4.7 asistime dhe 1.5 topa të vjedhur për ndeshje.
Performanca e tij konsistente në të dy frontet e vendosi atë mes lojtarëve më të spikatur të sezonit të kaluar në Evropë.
Me këtë afrime, Bashkimi e kompleton kuotën e katër përforcimeve të huaja, duke përfshirë edhe Kyan Anderson, Jeremiah Bailey dhe De’Quon Lake, të gjithë të konfirmuar më herët si pjesë e projektit të ri sportiv të klubit.
Përveç përforcimeve në parket, klubi ka zyrtarizuar edhe emërimin e trajnerit malazez Igor Jovovic, i cili do të drejtojë skuadrën në edicionin e ardhshëm.
Ambiciet e Bashkimit për sezonin 2025/26 janë të qarta, ndërsa afrimi i një lojtari të kalibrit të Cousins tregon qartë synimet për të garuar fuqishëm në të gjitha frontet.
