
Sulmuesi kosovar Baton Zabërgja ka marrë ftesën e radhës nga Kombëtarja e Kosovës për dy sfidat e shtatorit në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Klubi i tij i ri, Metalist 1925, e ka bërë publik lajmin të mërkurën, vetëm një ditë pasi prezantoi transferimin e 24-vjeçarit nga Dinamo City.
“Lojtari i sapoardhur në Metalist 1925, Baton Zabërgja, është thirrur në ekipin kombëtar të Kosovës për ndeshjet e shtatorit për Kupën e Botës 2026”, shkruan njoftimi i klubit ukrainas.
Dardanët do të përballen fillimisht me Zvicrën më 5 shtator në udhëtim, ndërsa më 8 shtator do të presin Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Për Zabërgjën, kjo është ftesa e gjashtë në Kombëtaren A.
Ai deri më tani ka vetëm një paraqitje – në miqësoren ndaj Armenisë, ku luajti 82 minuta.