
Belgjika dhe kampionia në fuqi, Italia, do të përballen të mërkurën në një ndeshje me shumë peshë për një biletë drejt gjysmëfinales së Kampionatit Botëror të Volejbollit për Meshkuj FIVB 2025, në arenën “SM Mall of Asia”.
Për herë të parë pas 55 vitesh në një çerekfinale të Botërorit, Belgjika synon të shkaktojë një tjetër tronditje dhe të rrëzojë Italinë, në sfidën që nis në orën 15:30.
Skuadra belge vjen me vrull të madh, pasi javën e kaluar befasoi Italinë në fazën e grupeve me fitoren 3-2 (25-23, 25-20, 22-25, 21-25, 15-13), një sukses që tronditi hierarkinë.
Ferre Reggers, lojtari më produktiv i turneut deri tani me 93 pikë (80 nga sulmi, 9 bllokime dhe 4 ace), pranon se këtë herë do të përballen me një Itali më të fortë, e cila në 1/8-tën mposhti Argjentinën pa humbur set (25-21, 25-17, 25-21).
“Do të jetë një ndeshje krejtësisht ndryshe. Ata filluan pasivë në dy setet e para dhe ne ishim agresivë. Tani e dinë që nuk mund të relaksohen kundër nesh. Duhet të hyjnë fuqishëm në ndeshje – edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë”, tha Reggers, i cili realizoi 20 pikë edhe në fitoren 3-0 ndaj Finlandës.
22-vjeçari Reggers, së bashku me Sam Deroo, po udhëheqin një Belgjikë që po jeton ëndrrën në këtë turne.
“Jam i emocionuar, por mbi të gjitha shumë krenar. E dinim që kishim një ekip të mirë, por nuk e dinim si do të mateshim me skuadrat më të forta në botë. Tani jemi në tetëshen më të mirë dhe kjo tregon shumë – kemi një të ardhme të ndritur. Duhet të vazhdojmë punën, por kemi mundësi të luajmë më shpesh në këtë nivel, dhe kjo do të na ndihmojë të rritemi edhe më shumë”, shtoi ai.
Italia, nga ana tjetër, mbështetet tek treshja e fuqishme: MVP-ja në fuqi dhe dirigjenti Simone Giannelli, Yuri Romano dhe Alessandro Michieletto, për të vazhduar mbrojtjen e titullit.
“Mendoj se është mirë që ajo humbje ndodhi në fazën e grupeve. Nxorëm shumë mësime nga ajo ndeshje, dhe tani jemi më të fortë e po përmirësohemi dita-ditës. Kjo është pozitive”, deklaroi Romano, i cili shënoi katër ace dhe 14 pikë gjithsej në ndeshjen ndaj Argjentinës.
“E dimë që niveli është shumë i ekuilibruar, mund të humbasësh ndaj çdo skuadre. Duhet të luajmë mirë në çdo ndeshje – kjo është gjithçka që ka rëndësi.”