Chelsea nën hetim për 74 shkelje, rrezikon ndalim transferimesh dhe heqje pikësh

Chea-City
Chea-City

Një tjetër goditje për futbollin anglez. Pas akuzave të rënda ndaj Manchester City-t për 115 shkelje financiare, tani edhe Chelsea ndodhet në qendër të hetimeve.

Federata Angleze e Futbollit (FA) ka akuzuar klubin londinez për 74 shkelje të rregullave, kryesisht të lidhura me marrëdhëniet me agjentët dhe investimet e palëve të treta në lojtarë. Shkeljet dyshohet se janë kryer gjatë periudhës 2009–2022, kur Chelsea ishte në pronësi të Roman Abramoviçit. Shumica e rasteve datojnë nga sezonet 2010/11 deri në 2015/16.

Ironikisht, hetimi nisi pas vetëdenoncimit të pronarëve aktualë amerikanë, të cilët gjatë analizës për blerjen e klubit zbuluan parregullsi dhe i raportuan ato tek FA.

Chelsea duhet të japë përgjigje zyrtare deri më 19 shtator, ndërsa FA ka në dorë sanksione të rënda: nga gjobat financiare, deri tek ndalimi i transferimeve apo heqja e pikëve.

Megjithatë, në klub mbizotëron optimizmi se ndëshkimi do të jetë më i lehtë, pikërisht sepse ata e ekspozuan vetë skandalin. Ky proces pritet të mbyllet shpejt, ndoshta edhe përpara vendimit për Manchester City-n.