
Pas pesë javëve të para në Ligën e Parë, Dinamo e Ferizajt e udhëhequr nga kryetrajneri Burim Qerkini vazhdon të mbetet e pamposhtur. Me dy fitore dhe tre barazime – prej tyre tre derbi, dy ndaj skuadrave pretendente dhe një lokal ndaj Tefik Çangës – Dinamo është një nga katër skuadrat e vetme që ende nuk ka pësuar humbje këtë edicion.
Duke pasur një histori të fortë konkurruese në vitet e fundit në Ligën e Parë, Dinamo synon sërish majat e renditjes edhe në këtë edicion. Pas barazimit 0-0 me Feronikelin, trajneri Qerkini foli për Kërlaçkin rreth ecurisë së deritashme të skuadrës:
“Loja me Vushtrrinë ishte një derbi i vërtetë. Ishte një ndeshje e luftuar me kthesa në rezultat, dhe përfundoi 3-3. Ndërsa derbi me Feronikelin në Ferizaj ishte një lojë burrërore, e luftuar deri në fund. Në derbi, ekipet janë më të kujdesshme, prandaj rezultati pa gola ishte i pritshëm.”
Qerkini theksoi edhe sfidat me mungesat në skuadër:
“Në këto pesë javë kemi pasur probleme me lëndime të tre lojtarëve, por megjithatë kemi arritur t’i mbulojmë ato pozita dhe ekipi po tregon karakter. Djemtë po japin 100% në fushë.”
Për ambiciet dhe konkurrencën në grupin e skuadrave pretendente, Qerkini shtoi:
“Ne jemi pjesë e grupit të ngushtë të skuadrave pretendente, bashkë me Vëllaznimin, Lirinë, Feronikelin, Vushtrrinë, Trepçën dhe Trepçën ’89. Momenti kur të rikthehen tre lojtarët tanë kryesorë nga lëndimet, do të na japë një shtytje të madhe në garë.”
Dinamo në javën e gjashtë udhëton në kryeqendër ku dë të ndeshet me skuadrën e fundit në klasifikim dhe e vetmja pa asnjë pikë, 2 Korriku.