
Skuadra kampione e Kosovës, Drita, do të zhvillojë sot ndeshjen e 26-të evropiane që nga viti 2018, duke u përballur me kampionin e Luksemburgut, Differdingen.
Në debutimin e tyre evropian më 2018, nën drejtimin e kryetrajnerit Bekim Isufi, Drita kaloi raundin preliminar në ndeshjet e zhvilluara në Gjibraltar, duke mposhtur kampionët e Andorrës me rezultat 2:0 dhe kampionët vendas, Lincoln, me 4:1, siç raporton Kërlaçki.com.
Megjithatë, nuk ishte hera e parë që Drita kalonte një raund në kompeticionet evropiane. Në sezonin 2020/21, në Europa League, ajo eliminoi Sileksin nga Kratova e Maqedonisë, me rezultat 2:0.
Edhe në sezonin pasues, 2021/22, Drita kaloi një raund tjetër, këtë herë duke mposhtur skuadrën shqiptare nga Mali i Zi, KF Deçiqi nga Tuzi (2:1 dhe 1:0), thekson, Kërlaçki.com.
Në sezonin 2022/23, Drita kaloi më tej në Conference League përmes rikthimit të rezultatit ndaj Inter Turku të Finlandës (0:1 dhe 3:0).
Edicioni i kaluar ishte më i suksesshmi i Dritës në Evropë, me kalimin e dy raundeve ndaj Breidablikut të Islandës (3:1 dhe 2:1) dhe Audës nga Estonia (0:1 dhe 3:1), për t’u eliminuar në play-off nga skuadra polake Legia (0:1, 0:2). Legia kishte eliminuar Dritën edhe në vitin 2020 me rezultat 0:2.
Në shumicën e rasteve, Drita është eliminuar nga skuadra të njohura si Malmo më 2018 (0:3 dhe 0:2), Feyenoord Rotterdam më 2021 (0:0 dhe 2:3), Antwerpen i Belgjikës më 2022 (0:0 dhe 0:2) dhe Viktoria Pilsen e Çekisë më 2023 (0:0 dhe 1:2).
Megjithatë, Drita ka pasur edhe eliminime befasuese, si ai më 2018 kundër Dudelingen të Luksemburgut (1:2 dhe 1:1).
Kërlaçki.com thekson se Drita ka pasur paraqitje më shumë se dinjitoze, duke i sjellë skuadrave kosovare një koeficient të rëndësishëm (8.500), menjëherë pas Ballkanit (9.500).
Në 26 ndeshje evropiane, Drita ka shënuar 11 fitore, 4 barazime dhe 11 humbje, me gol-dallim 27:27.
Statistikat e Differdingen: Përvojë dhe sfida
Në aspektin ndërkombëtar, Differdingen ka më shumë përvojë se Drita, me 41 ndeshje të luajtura që nga viti 2007. Në katër vitet e fundit, skuadra e Luksemburgut ka regjistruar 1 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje, por pa e kaluar raundin e mëtejshëm.
Sipas Kërlaçki.com, Differdingen ka arritur disa kalime të bujshme në historinë e saj, duke kaluar dy herë nga dy raunde dhe dy herë nga tri raunde.
Kualifikimi më i rëndësishëm ka qenë ai në sezonin 2013/14 në Europa League, kur pas eliminimit të skuadrës shqiptare të Laçit, arritën të përmbysin edhe skuadrën holandeze Utrecht, për t’u ndalur më pas në raundin e tretë nga Tromso e Norvegjisë.
Skuadra luksemburgase ka përballje edhe ekipe të mëdha, ndër to më e njohura është ajo ndaj Paris Saint-Germain në sezonin 2011/12, ku u eliminuan në play-off nga kampionët e tanishëm evropianë me rezultate 0:4 dhe 0:2.
Be the first to comment