
Java e katërt e AlbiMall Superligës solli zhvillime të rëndësishme në garën për kreun. Dukagjini i drejtuar nga Ismet Munishi ka marrë drejtimin e kampionatit pas fitores ndaj Ferizajt (2-0), duke u ngjitur në vendin e parë me 9 pikë. Një skuadër e konsoliduar, që po tregon se di të fitojë edhe në ndeshje të vështira.

Ballkani mbetet ndjekësi më i afërt me 8 pikë, pas një fitoreje të pastër 3-0 ndaj Drenicës, duke konfirmuar ambiciet për titull. Prishtina, pas barazimit emocionues 2-2 me Dritën, ruan vendin e tretë me 7 pikë. Ndërkohë, Prishtina e Re vijon surprizat pozitive: fitorja minimale 1-0 ndaj Llapit e ka ngjitur në vendin e katërt me 6 pikë.
Në zonën e mesme qëndron Ferizaj (6 pikë), ndërsa Drenica dhe Gjilani kanë nga 4 pikë. Malisheva, pas fitores 3-1 në transfertë ndaj Gjilanit, barazohet gjithashtu me 4 pikë.
Pjesa më e dobët e javës shënon dy emra të mëdhenj: Drita dhe Llapi, të cilët pas katër javësh nuk kanë ende fitore. Drita, ndonëse e vështirë për t’u mposhtur, ka vetëm dy pikë në tre ndeshje, ndërsa Llapi ka nisur sezonin në mënyrë katastrofale, me dy barazime dhe dy humbje, duke u renditur i fundit.
