
Ish-ylli i futbollit kroat, Robert Jarni, dhe ish-ylli i futbollit shqiptar, Ervin Bulku, brenda një viti kanë zgjuar pluhur në mediat e vendeve të tyre, ndërsa kanë një të përbashkët – Hajdukun – me dy ekuacione: Dinamo Zagreb dhe Dinamo Tirana.
“Edhe pse jam shqiptar, do të jem për Hajdukun ndaj Dinamo Cityt në Evropë”, është titulli i shkrimit të mediumit kroat “24sata.hr” të shtunën. Kaq ka mjaftuar që klubi i Dinamos në Tiranë të reagojë ashpër, po ashtu edhe mediat dhe komentet e ndryshme nëpër rrjetet sociale. Aq shumë kanë shkuar reagimet, saqë është kërkuar shkarkimi i tij nga posti i ndihmëstrajnerit në Kombëtaren “A”.
Bulku ende nuk është shkarkuar. Por jo edhe Robert Jarni, një vit më parë. Ish-ylli i Përfaqësueses së Kroacisë, Hajdukut, Betisit… ishte shkarkuar pas dy vitesh në stafin e Përfaqësueses së Kroacisë për grupmoshën U17.
Shkaku? Betisi. Klubi spanjoll ku kishte luajtur për tre vite, dhe para ndeshjes vendimtare mes Dinamo Zagrebit dhe Betisit në ndeshjen kthyese të play-offit të Conference League.
“Jam për Betisin”!
Publiku kroat, veçmas ai i Dinamos së Zagrebit, e kishte “masakruar”. Paçka se Jarni ishte ish-futbollist i Hajdukut dhe urrejtja ndaj Dinamos ishte “normale”. Mediat e afërta me klubin zagrebas nuk ia kishin falur. Presioni publik kishte bërë të vetën, dhe federata e kishte shkarkuar. Ndërkohë, efekti i urrejtjes Dinamo – Hajduk vetëm ishte shtuar.
Ervin Bulku është ish-futbollist i Tiranës. Ndoshta urrejtja ndërmjet klubeve në Shqipëri nuk është e njëjtë si në Kroaci. Pakrahasimisht nuk është. As nuk është se Ervin Bulku ka lënë ndonjë shenjë të madhe te Hajduku i Splitit. Megjithatë, edhe nëse është trajner kombëtareje, Ervini nuk ua ka borxh dashurinë Dinamos. As nuk ka pse ta fshehë një gjë të tillë, qoftë edhe në raste bizare, si deklaratat pompoze nëpër media. Mediat me këto lajme jetojnë.