Egnatia e nis me fitore – Gruda vendos në minutat shtesë natën e Championsit në Rogozhinë

Egnatia
Egnatia - Breidablik 1-0

Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme në sfidën e parë të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur skuadrën islandeze Breidablik me rezultat minimal 1-0.

Takimi i zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia” u vendos në minutën e 93-të, kur Medon Gruda shënoi golin e vetëm të ndeshjes. Pas një pasimi të gjatë nga mbrojtja, Gruda kontrolloi bukur topin, shmangu një mbrojtës kundërshtar dhe gjuajti saktë, duke shpërthyer festën në Rrogozhinë.

Gjatë gjithë ndeshjes, Egnatia pati një paraqitje solide, duke dominuar në lojë dhe krijuar disa raste të rrezikshme.

Abdurraman Frangaj: Egnatia – Breidablik 1-0

Në minutën e 74-të, Poçi goditi traversën me një gjuajtje të fuqishme nga distanca, ndërsa në disa raste të tjera, Bakayoko nuk arriti të konkretizojë përballë portës.

Në mbrojtje, portieri Enea Dajsinani ishte një nga më të dalluarit, duke bërë disa pritje vendimtare ndaj tentativave të skuadrës islandeze dhe duke ruajtur portën e paprekur.

Breidablik u përpoq të reagojë, por Egnatia tregoi qetësi dhe disiplinë taktike deri në fundin e takimit.

Serxho Ujka: Egnatia – Breidablik 1-0

Me këtë fitore të ngushtë, por të vlefshme, Egnatia udhëton drejt Islandës për ndeshjen e kthimit me një epërsi pozitive, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim historik në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.