EuroBasket 2025: Gjigantët ballafaqohen – Greqia dhe Turqia për një vend në finale

gre-tur
Gre-Tur

Gjysmëfinalja e EuroBasket 2025 mes Greqisë dhe Turqisë premton spektakël sonte nga ora 20:00 në Arena Riga, Letoni.

Greqia, e udhëhequr nga superylli i NBA-së Giannis Antetokounmpo, ka kaluar me sukses fazën e grupeve (4-1), duke mposhtur në vijim edhe Izraelin dhe Lituaninë. Giannis është në formë të jashtëzakonshme, me mesatare prej 29.8 pikësh dhe 9 kërcimesh për ndeshje, duke mbajtur mbi supe shpresat helene për një tjetër titull europian.

Nga ana tjetër, Turqia është surpriza e madhe e këtij turneu. Me Alperen Şengün në krye, ata fituan pesë ndeshjet e grupeve, ndër to Serbinë dhe më pas eliminuan Poloninë e Suedinë. Ylli i Houston Rockets shkëlqeu me një “triple-double” historik në çerekfinale dhe po regjistron shifra mbresëlënëse: 21.6 pikë, 10.9 kërcime dhe 7.1 asistime për ndeshje. Përveç tij, lojtarë si Cedi Osman e Shane Larkin kanë dhënë kontribut vendimtar.

Historikisht, përballjet mes dy kombëtareve kanë qenë të ndezura jo vetëm për basketbollin, por edhe për rivalitetin e gjatë sportiv mes dy vendeve. Këtë herë, tensioni pritet të jetë edhe më i madh pasi në lojë është një biletë për finalen e madhe të EuroBasket 2025.

Parashikimi i analistëve favorizon Turqinë, që shfaqet më e balancuar dhe me rotacion më të gjerë, ndërsa Greqia mbështetet kryesisht te dominimi i Antetokounmpo. Sipas vlerësimeve, turqit mund të fitojnë me një diferencë të ngushtë, rreth tetë pikësh.