FFK nis rekrutimin e gjyqtarëve të rinj për të ardhmen e futbollit kosovar

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në takim me gjyqtarët

Federata e Futbollit e Kosovës ka hapur një proces të rëndësishëm për zhvillimin e gjyqtarëve të rinj, duke e konsideruar këtë hap një investim strategjik për të ardhmen e futbollit vendor. Qëllimi i FFK-së është ngritja e cilësisë dhe profesionalizmit në sektorin e ndarjes së drejtësisë.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, u takua sot me gjyqtarët elitarë dhe kryetarin e Shoqatës së Gjyqtarëve, Përparim Hasani, ku u diskutuan hapat e ardhshëm dhe përgjegjësitë që ky proces sjell.

Gjyqtarët elitarë do të luajnë rolin e mentorëve dhe udhërrëfyesve, duke ndihmuar gjyqtarët e rinj të zhvillohen profesionalisht dhe të arrijnë standardet më të larta. Ata gjithashtu do të vendosin për avancimin e gjyqtarëve në kategori, bazuar në performancën dhe progresin e tyre.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në takim me gjyqtarët

Ky projekt është i lidhur ngushtë me fushatën e UEFA-s “Be A Referee”, e cila synon të motivojë të rinjtë për t’u bërë pjesë e ndarjes së drejtësisë në futboll.

FFK synon që përmes këtij programi të krijojë një bazë të fortë për gjyqtarët e së ardhmes, ku pasioni, profesionalizmi dhe ndershmëria do të jenë gjithmonë prioritet.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe Përparim Hasani

Ky proces pritet të ndikojë pozitivisht në ngritjen e standardeve dhe profesionalizimin e gjyqtarëve në të gjithë vendin, duke siguruar që futbolli kosovar të ecë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm dhe të organizuar.