
Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist para ndeshjes kundër Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Në konferencën për shtyp, ai theksoi se ekipi është i përgatitur mirë, me vetëbesim dhe dëshirë për sukses, edhe pse përballja konsiderohet e vështirë.
“Se a do të fitojmë apo jo, do të shihet në ditën e ndeshjes. Nuk jam parashikues, por kemi ndërtuar një ekip të mirë dhe kemi vetëbesim, sepse në ndeshjet e kaluara kemi treguar lojëra të mira”, u shpreh Foda.
Trajneri austriak vlerësoi lart kundërshtarin, duke theksuar njohuritë që stafi dhe skuadra kanë për Zvicrën. “E njohim ekipin e Zvicrës mjaft mirë, ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. Por gjithçka do të varet nga mënyra si do të paraqitemi në fushë. Nëse luajmë si një ekip i bashkuar dhe i zbatojmë detyrat tona, jam optimist se mund të fitojmë, ose të paktën të barazojmë”, shtoi ai.
Foda foli edhe për sfidën që e pret Kosovën në grup, duke përmendur përveç Zvicrës edhe Suedinë e Slloveninë si kundërshtarë të fortë, por theksoi se gjithçka është e mundur. “Ne luajmë futboll, jetojmë për futbollin. Ëndrrat mund të bëhen realitet vetëm nëse beson vërtet. Edhe pse jemi autsajderë, një autsajder mund të jetë shumë i rrezikshëm,” tha ai.
Ai dha një mesazh të qartë për lojtarët: të japin gjithçka për fanellën dhe për mundësinë historike të kualifikimit në Kupën e Botës.
Foda foli me entuziazëm edhe për futbollistin Leon Avdullahu, i cili i është bashkuar për herë të parë Kombëtares së Kosovës, pasi më parë nuk kishte luajtur për asnjë kombëtare tjetër. “Jemi shumë të lumtur që ka zgjedhur Kosovën. Është lojtar fleksibil, i suksesshëm në Bundesliga dhe mund të luajë në çdo pozitë”, deklaroi ai.