
Federata Shqiptare e Futbollit është ndëshkuar nga FIFA me një gjobë të majme prej 161 mijë e 500 franga zvicerane, që i bie mbi 173 mijë euro, për incidentet e ndodhura gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi, të zhvilluar më 7 qershor në “Air Albania”.
Sipas vendimit të Komisionit Disiplinor të FIFA-s, përveç gjobës financiare, 20 për qind e kapacitetit të stadiumit do të mbyllet për ndeshjen e radhës që Shqipëria e luan në shtëpi më 9 shtator ndaj Letonisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Ndeshja ndaj Serbisë u ndoq nga mbi 20 mijë tifozë, por përshkohej nga fyerje të vazhdueshme, hedhje të sendeve, fishekzjarre, e shkelje gjatë himneve kombëtare, që sollën ndërprerje të përkohshme të lojës në tri raste. Megjithëse nuk pati ndonjë incident të rëndë që e rrezikonte zhvillimin e ndeshjes, FIFA nuk e ka kursyer dënimin.
Në njoftimin zyrtar, FSHF e cilësoi vendimin si penalizim serioz për gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, duke u bërë thirrje tifozëve që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të mos dëmtojnë Kombëtaren në ndeshjet e ardhshme.
“Dënimi nuk godet vetëm Federatën, por mbi të gjitha Kombëtaren. I bëjmë thirrje tifozëve që të respektojnë rregullat dhe të krijojnë një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë. Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim skuadrën siç e meriton”, thuhet në reagimin e FSHF-së.
Ndeshja Shqipëri – Serbi përfundoi pa gola (0:0), duke lënë një shije të hidhur te tifozët, që kishin pritur me entuziazëm këtë përballje. Shqipëria ka arkëtuar vetëm 5 pikë nga 4 ndeshje dhe nuk është në një pozitë komode në grupin kualifikues.
Fitorja ndaj Letonisë është e domosdoshme, ndërsa ndeshja në Beograd ndaj Serbisë më 11 tetor pritet të jetë përcaktuese për fatin e kualifikimit. Kjo përballje rikthen kujtimet e hidhura të ndeshjes famëkeqe të vitit 2014, ku lojtarët shqiptarë u sulmuan nga huliganët serbë dhe ndeshja u regjistrua 3:0 për Shqipërinë.