Gazetari qipriot e pyet për logon e Pafos, Kompany befason me përgjigjen

#post_seo_title

Bayern Munich do të zhvillojë sonte ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, ku do të përballet në transfertë me kampionët e Qipros, Pafos.

Bavarezët mbërritën dje në Qipro, dhe trajneri Vincent Kompany u paraqit në konferencën për shtyp para takimit.

Gjatë konferencës, një gazetar vendas i bëri një pyetje interesante Kompany-t, duke testuar njohuritë e tij për kundërshtarin: “A e dini kush është në stemën e Pafos?”

Për habinë e shumëkujt, trajneri belg iu përgjigj me humor: “Mendoj se ishte një hero qipriot, apo jo? E kalova testin. Mund të marr vizë,” tha ai.

Në fakt, stema e klubit Pafos përmban figurën e Evagoras Pallikarides, një poet dhe luftëtar i njohur kundër kolonializmit britanik.

Ai lindi vetëm 10 kilometra larg qytetit të Pafosit dhe u ekzekutua me varje në Nikosia, në moshën vetëm 19-vjeçare.