
Manchester City do të hyjë në derbin e madh kundër Manchester United me mungesa të rëndësishme në formacion. Trajneri Pep Guardiola ka konfirmuar se tre lojtarë të skuadrës së tij nuk do të jenë të gatshëm për sfidën që zhvillohet më 14 shtator në Premier League.
Një prej mungesave më të mëdha është ajo e Omar Marmoush, i cili u dëmtua gjatë ndeshjes me kombëtaren e Egjiptit kundër Burkinës Faso dhe pritet të rikthehet vetëm pas pushimit ndërkombëtar të tetorit. Përveç tij, edhe Rayan Aït-Nouri dhe Rayan Cherki nuk do të mund të luajnë për shkak të problemeve fizike që i mbajnë ende larg fushës.
Situata mbetet e paqartë për John Stones, i cili është në dyshim dhe do t’i nënshtrohet një testi të fundit përpara ndeshjes. Guardiola theksoi se dëmtimi i tij nuk është serioz, por vendimi përfundimtar do të merret në orët e fundit.
Trajneri spanjoll theksoi rëndësinë e derbit si për tifozët ashtu edhe për klubin, duke shtuar se pavarësisht mungesave, ekipi do të hyjë në fushë me përgatitje maksimale. Sipas tij, pjesa tjetër e lojtarëve është në gjendje të mirë dhe gati për të dhënë maksimumin.
Pas tre javësh kampionat, Manchester United ndodhet në vendin e nëntë të renditjes së Premier League, ndërsa City është vetëm i 13-ti. Ky derbi pritet të ketë një peshë të madhe jo vetëm në aspektin emocional, por edhe në ecurinë e mëtejshme të sezonit për të dy skuadrat.