Në një ditë që u mbush me tension dhe rivalitet të lartë, Japonia dhe Italia dolën fituese në dy përballjet më të pritura të çerekfinaleve të Kampionatit Botëror të Volejbollit për Femra. Japonia triumfoi ndaj Holandës pas një dueli dramë prej pesë seteve, ndërsa Italia imponoi fuqinë e saj ndaj Polonisë. Të dyja ekipet tani janë gati për betejat e gjysmëfinales, duke sjellë emocione të reja në skenën ndërkombëtare të volejbollit.
Në gjysmëfinale, Italia do të ndeshet me fituesin e çiftit të ndeshjes që zhvollohet nesër Brazil/Francë, kurse Japonia me fituesin e çiftit, SHBA-Turqi.

Italia dominon Poloninë dhe siguron kualifikimin në gjysmëfinalet e Botërorit
Kampionia olimpike Italia ka siguruar kualifikimin e saj të katërt radhazi në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Volejbollit për Femra, duke mposhtur Poloninë me rezultat bindës 3-0 (25-17, 25-21, 25-18) në ndeshjen çerekfinale të zhvilluar të mërkurën në Bangkok.
Të pamposhtura tashmë në 34 ndeshje radhazi, italianet shfaqën një performancë superiore në të gjitha aspektet e lojës. Paola Egonu, një nga yjet kryesore të ekipit, udhëhoqi ofensivën me 20 pikë (19 goditje të suksesshme dhe një bllokim), ndërsa qendërbllokuesja Sarah Fahr kontribuoi me 12 pikë (tetë goditje dhe katër bllokime).
“Nuk e prisnim ta fitonim kaq lehtë,” u shpreh kapitenia italiane Anna Danesi pas ndeshjes. “E kishim imagjinuar ndryshe këtë përballje, por qëndruam të fokusuara gjatë gjithë kohës dhe e përjetuam çdo pikë si një sfidë më vete. Kështu kemi luajtur gjatë gjithë verës dhe duam të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë.”
Për Poloninë, më e dalluara ishte Magdalena Stysiak, me 15 pikë (12 goditje dhe tre bllokime), ndërsa Paulina Damaske, e futur në formacionin bazë, shtoi nëntë pikë.
Tani Italia pret fituesen e sfidës Brazil – Francë, që do të zhvillohet të enjten, për të mësuar kundërshtaren e saj në gjysmëfinale, e cila do të luhet të shtunën në Bangkok.

Japonia kalon në gjysmëfinale pas një ndeshjeje dramatike me Holandën 3-2 (20-25, 25-20, 22-25, 25-12, 15-12)
Japonia siguroi vendin e parë në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror të Volejbollit për Femra 2025, pas një fitore dramatike 3-2 ndaj Holandës në Bangkok. Kjo është hera e parë që Japonia arrin gjysmëfinalet që nga viti 2010. Të shtunën do të përballet me fituesin e çiftit SHBA-Turqi.
Holanda kaloi në avantazh dy herë gjatë ndeshjes, por Japonia barazoi në të dyja rastet dhe përmbysi gjithçka në setin e pestë, falë kapitenes Mayu Ishikawa. Ajo shënoi 25 pikë, ndërsa Yukiko Wada ishte më e mira me 27.
Holanda shkëlqeu në mbrojtje me 11 bllokime, gjashtë prej tyre nga Eline Timmerman, por nuk mjaftoi për të ndalur Japoninë, që tregoi vendosmëri dhe forcë psikologjike në fund.
NDESHJET E NESËRME
Brazili – Franca (4 shtator)