Klubi i Futbollit Llapi ka zyrtarizuar sot afrimin e mbrojtësit qendror Arbnor Aliu, i cili ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me mundësi rinovimi edhe për një vit tjetër.
Futbollisti 22-vjeçar rikthehet në futbollin kosovar pas një periudhe të gjatë në Gjermani, ku ka kaluar në akademi dhe skuadra të njohura si, ESV Eintracht Hameln (2007–2011), HSC/BW Tündern (2011–2015), Hannover 96 (2015–2017), FC Schalke 04 (2017–2022), Holstein Kiel II (2022–2025).
Transferimi u realizua pas marrëveshjes mes Llapit dhe Holstein Kiel II, ku Aliu kishte ende kontratë aktive.
Në arenën ndërkombëtare, Aliu ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e Kombëtares së Gjermanisë (U15–U18) dhe ka zhvilluar dy ndeshje me Kombëtaren U21 të Kosovës.
Drejtuesit e klubit theksuan se lojtari u bind nga projekti dhe ambiciet e Llapit, ndërsa pritet të jetë një element kyç në objektivat për sezonin e ri që nis këtë fundjavë.