Kosova në përgatitje intensive për sfidat e mëdha ndaj Francës dhe Kroacisë

Kosova
Kosova

Kombëtarja A e hendbollit të femrave të Kosovës është grumbulluar të dielën në mbrëmje në Prishtinë, ku ka zhvilluar edhe stërvitjen e parë në Pallatin e Rinisë. Atmosfera në kamp është shumë pozitive, ndërsa përgatitjet po zhvillohen me intensitet të lartë.

Sot (e hënë), janë paraparë dy seanca stërvitore, përpara udhëtimit drejt Francës që do të bëhet të martën në mëngjes. Kosova do të përballet me kampionen e botës, Francën, të mërkurën më 15 tetor në qytetin Nimes. Ndeshja, e cila nis në ora 20:45, është pjesë e fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026.

Sfida nuk përfundon këtu – të dielën e ardhshme, më 19 tetor, në Prishtinë, hendbollistet kosovare do të përballen me një tjetër gjigant të këtij sporti: Kroacinë.

Për shkak të mungesave të shumta – disa për shkak të lëndimeve dhe të tjera për shkak të përfundimit të karrierës – përzgjedhësi Agron Shabani ka ftuar një grup të ri lojtareve, shumica prej tyre të reja në këtë nivel. Ai po punon për të krijuar një përbërje sa më funksionale dhe konkurruese përballë dy superfuqive evropiane.

Pavarësisht sfidave, në kampin e Kombëtares mbizotëron entuziazmi dhe përkushtimi. Stafi dhe lojtaret janë të vetëdijshëm për shkallën e vështirësisë që sjellin Franca dhe Kroacia, por qëllimi kryesor është paraqitja dinjitoze dhe shfrytëzimi i këtyre ndeshjeve për të ndërtuar një të ardhme të fortë për hendbollin kosovar.