Kosova shkakton tronditje në Gothenburg, Tomasson nuk jep dorëheqje!

Jon Dahl Tomasson
Jon Dahl Tomasson

Kombëtarja e Suedisë ka përjetuar një tjetër katastrofë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, duke u mposhtur para tifozëve të vet nga Kosova me rezultat minimal 1-0, shkruan media suedeze Aftonbladet, përcjellë Kërlaçki.

Një gol i Fisnik Asllanit në minutën e 32-të mjaftoi që “Dardanët” të regjistrojnë një fitore historike në “Gamla Ullevi” të Gothenburgut, ndërsa për suedezët, kjo disfatë nënkupton fundosje të mëtejshme në renditjen e Grupit B – aktualisht në vendin e fundit me vetëm një pikë pas katër ndeshjeve.

Zhgënjim i thellë dhe krizë e hapur për “Blågult”

Megjithëse Suedia pati më shumë posedim dhe iniciativë në lojë, ishte Kosova ajo që e konkretizoi rastin e parë serioz përmes Asllanit, i cili shfrytëzoi një moment të rastësishëm për të realizuar golin e vetëm të sfidës.

Në fundin e pjesës së parë, Kosova ishte afër golit të dytë, ndërsa reagimet në studio ishin të menjëhershme.

“Çfarë jemi duke bërë?!” – reagoi i ashpër ish-ylli suedez Fredrik Ljungberg në studion e Viaplay.

Në pjesën e dytë, trajneri Jon Dahl Tomasson tentoi të përmbysë rrjedhën e lojës duke aktivizuar Elanga, Bardghji dhe Salétros, por ndryshimet nuk dhanë efekt. Kosova menaxhoi me sukses epërsinë dhe e mbylli ndeshjen me një fitore të madhe.

“Katastrofë totale. Na dhemb jashtëzakonisht. Nuk po arrijmë të shënojmë dhe nuk e kuptoj pse”, deklaroi Tomasson pas ndeshjes.

Reagime emocionale: “Na vjen turp”

Pas ndeshjes, zhgënjimi në kampin suedez ishte i thellë. Lojtarët nuk e fshehën ndjesinë e turpit dhe përgjegjësinë për paraqitjen.

“Thjesht duam t’i kërkojmë falje popullit suedez. Faleminderit për përkrahjen, por më vjen shumë keq për humbjen”, tha Anthony Elanga.

Lucas Bergvall u shpreh:

“Ishte shumë dobët. E dimë. Duhet të ngrihemi. S’ka rrugë tjetër.”

Alexander Isak nga Liverpool shtoi:

“Turp. Shumë zhgënjyese. Nuk funksionon asgjë. Si ekip dhe si individë, jemi shumë dobët.”

Jon Dahl Tomasson
Jon Dahl Tomasson

Tomasson refuzon dorëheqjen: “Kam kontratë, nuk largohem”

Trajneri danez Jon Dahl Tomasson ka refuzuar të japë dorëheqje, pavarësisht kërkesave të opinionistëve dhe reagimeve të ashpra të publikut.

“Kam një kontratë me SvFF dhe jemi në mes të kualifikimeve”, deklaroi ai për Viaplay, duke e përsëritur disa herë edhe në konferencën për shtyp.

Pas ndeshjes, ish-reprezentuesi Johan Elmander, tani analist për Radiosporten, tha hapur:

“Koha e tij me kombëtaren ka mbaruar. Ose jep dorëheqje vetë, ose federata duhet të veprojë.”

Tomasson nga ana tjetër u mbrojt, duke thënë:

“Nuk ishte një mbrëmje e mirë. Ishte një rezultat i tmerrshëm. Por unë pres të qëndroj. Nuk mendoj se lojtarët kanë humbur besimin te taktika.”

Rënia në fund të grupit, vetëm play-off si shpresë e zbehtë

Pas katër xhirove, Suedia ka grumbulluar vetëm një pikë dhe ndodhet në vendin e fundit të Grupit B. E vetmja shpresë për një biletë drejt Botërorit mbetet pjesëmarrja në fazën “play-off” përmes Ligës së Kombeve, por edhe kjo rrugë është bërë shumë e vështirë për shkak të pozitës aktuale dhe mungesës së avantazheve.

Kosova ndërkohë ka bërë një hap të madh drejt zonës së kualifikimit, duke u afruar me vetëm tre pikë nga Zvicra dhe duke kaluar Slloveninë. Në ndeshjen e radhës, “Dardanët” do të përballen pikërisht me sllovenët në Lubjanë – sfidë vendimtare për vazhdimësinë e ëndrrës drejt Botërorit 2026 në Amerikën Veriore.