Kosova U19 në hendboll shënoi fitoren e parë në Kampionatin Botëror në Egjipt, duke mposhtur Marokun 32:22 në ndeshjen e tretë të Grupit B.
Me këtë fitore, Kosova e përfundoi grupin në vendin e tretë, por nuk kualifikohet më tej, duke vazhduar me katër ndeshje për plasman.
Në pjesën e parë, Kosova udhëhoqi 12:10, ndërsa në të dytën thelloi epërsinë për fitore bindëse.
Suad Pajaziti shkëlqeu me 8 gola, Olsi Mulaj shënoi 6, dhe Drijon Istrefi 5.
Kosova humbi ndeshjet e para ndaj Zvicrës (35:25) dhe Hungarisë (37:28). Para Botërorit, kishte fituar tri miqësore ndaj Kuvajtit në Slloveni.
Kjo është paraqitja e tretë e Kosovës në një ngjarje globale, falë “IHF Trophy”, që ofron mundësi kualifikimi për kombëtaret në zhvillim.