Kosova U21 nis kualifikimet për Euro 2027, Toverlani: Spanja dhe Rumania janë favoritë, por nuk dorëzohemi

Tovërlani
Tovërlani

Kombëtarja U21 e Kosovës e nis këtë javë ciklin e ri kualifikues për Kampionatin Evropian 2027. Përballja e parë do të zhvillohet në qytetin Iași të Rumanisë, ku skuadra vendase do të presë Kosovën.

Para udhëtimit, përzgjedhësi Afrim Toverlani dhe mesfushori Hekuran Berisha folën për mediat, duke shpalosur pritjet për këtë cikël të ri kualifikues.

“Rumania dhe Spanja janë favoritët e grupit, pasi kanë marrë pjesë në Kampionatin Evropian 2025 që u mbajt para dy muajsh. Por ne do të përgatitemi në mënyrën më të mirë dhe do të kërkojmë të marrim një rezultat pozitiv,” u shpreh Toverlani.

Ai theksoi se edhe në ciklin e kaluar Kosova ishte pjesë e një grupi të vështirë, përballë kombëtareve si Gjermania, Polonia, Izraeli dhe Bullgaria, por arriti të paraqitej denjësisht.

“Nuk e dimë se ku do të renditemi në fund të këtij edicioni, por kemi treguar se dimë të përballemi me kundërshtarë të fortë. Në kualifikimet e kaluara kemi luajtur barazim me Gjermaninë – kjo tregon se ka një ngritje të nivelit te ekipi U21,” shtoi ai.

Toverlani vuri në dukje edhe sfidat e muajit shtator, kur shumë futbollistë janë ende në proces transferimi dhe jo në formën e tyre më të mirë fizike: “Ka lojtarë që janë duke ndërruar klube dhe nuk janë ende të sistemuar, ndaj kjo mund të ndikojë.”

Megjithatë, objektivi i Kosovës mbetet ambicioz: “Synimi ynë është të arrijmë një kualifikim historik, por gjithçka duhet ta dëshmojmë në fushë.”

Hekuran Berisha: E njohim mirë njëri-tjetrin, jemi gati për Rumani

Mesfushori i Kosovës U21, Hekuran Berisha, ka shprehur besim në grupin dhe përgatitjet e ekipit për ndeshjen ndaj Rumanisë, e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2027.

“Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, njihemi prej kohësh mes vete dhe kjo na ndihmon të kuptohemi më lehtë në fushë, sidomos për të zbatuar detyrat taktike që kërkon trajneri,” tha Berisha.

Ai theksoi se përballja me Rumaninë është në fokus maksimal të skuadrës: “E kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe besoj se jemi të gatshëm për të marrë një rezultat pozitiv.”