Levante 2–3 Barcelona: Përmbysje spektakolare në Valencia

Levante - Barcelona 2-3
Levante - Barcelona 2-3

Barcelona arriti një fitore dramatike ndaj Levantes në javën e dytë të La Ligës, duke përmbysur disavantazhin 2–0 dhe duke triumfuar 2–3 në minutat shtesë të takimit.

Levante surprizoi me një pjesë të parë të shkëlqyer, ku Romero zhbllokoi rezultatin në minutën e 15-të pas një kundërsulmi të shpejtë. Në fundin e pjesës, Morales dyfishoi me penallti, pas ndërhyrjes së VAR-it.

Barcelona reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Pedri shkurtoi diferencën me një goditje nga distanca në minutën e 49-të, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Ferran Torres barazoi shifrat pas një aksioni nga goditja e këndit.

Kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, në minutën e 91-të mbrojtësi i Levantes, Unai Elgezábal, devijoi topin në portën e vet pas një përplasje në zonë, duke i dhënë Barcelonës tri pikët e plota.

Ky ishte një test i rëndësishëm për ekipin e Hansi Flick, që tregoi karakter dhe riktheu rezultatin në një fushë të vështirë. Pas kësaj fitoreje, katalanasit konfirmojnë pretendimet për titull, ndërsa Levante mbetet me zero pikë pas dy javësh.