
Ron Raqi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen në Kroaci. Pas paraqitjes së tij në fitoren e rëndësishme që Hajduku e arriti si mysafir ndaj Osijekut, portali i njohur Germanijak.hr i ka kushtuar një analizë të veçantë mbrojtësit kosovar, përcjellë Kërlaçki.
“Mbrojtësi i ri kosovar zhvilloi një ndeshje që meriton vëmendjen e opinionit të gjerë. Si ndryshe të përshkruhet paraqitja e 22-vjeçarit, i cili tregoi forcë në çdo duel, ndjesi të saktë për të dalë nga blloku, ndërsa përveç të gjithave pamë se ka edhe ‘këmbën e majtë’ për topa të gjatë e precizë. Fizikisht i fuqishëm, i mungon ende shkolla taktike, por pa dyshim që ia vlen të punohet me të, sepse kosovari është një potencial i shkëlqyer. E si ndryshe të përshkruhet fakti se në minutën e 92-të e nxori topin nga njëra zonë në tjetrën (‘box to box’).”, shkruan media kroate.
Sipas vlerësimit të Germanijak.hr, Raqi u notua me 7, duke qenë ndër më të mirët në fushë – vetëm kapiteni dhe ylli i skuadrës, Marko Livaja, mori notën më të lartë me 8.
Ky vlerësim është një tjetër dëshmi se Raqi po rritet me hapa të sigurt te Hajduku, ku shihet si një investim afatgjatë. Performanca e tij në stadiumin e Osijekut konfirmoi se mbrojtësi i Kosovës ka potencial për t’u bërë një prej shtyllave të skuadrës dalmatine.
