Mike Girling i bashkohet stafit të trajnerëve te KB Peja për edicionin 2025/26

Mike Girling
#post_seo_title

Klubi i basketbollit Peja ka njoftuar se trajneri kanadez Mike Girling do të jetë pjesë e stafit teknik të trajnerit Greg Gibson për sezonin e ardhshëm 2025/26.

Girling vjen me një përvojë të gjerë në basketbollin profesionist, ku gjatë karrierës së tij ka punuar me 15 basketbollistë që kanë luajtur në NBA, 45 me përvojë në NBA G-League dhe mbi 70 lojtarë me përvojë ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e KB Peja.

Përveç angazhimit me ekipin e parë, Girling do të ketë rol edhe në zhvillimin e talenteve të rinj, pasi është konfirmuar se do të punojë si trajner në akademinë e klubit KB Peja.

“Klubi vlerëson se përfshirja e tij në këtë projekt do të ndihmojë në ngritjen cilësore të punës me të rinjtë dhe në ndërtimin e së ardhmes së basketbollit në qytet”, thuhet në komunikatën e skuadrës pejane.

KB Peja e ka përshkruar këtë bashkëpunim si një hap të rëndësishëm në forcimin e strukturës profesionale të klubit, si në ekipin e parë ashtu edhe në nivelin e zhvillimit të të rinjve.