Pas barazimit zhgënjyes 2-2 ndaj Pizës në “San Siro”, Luka Modric nuk e fshehu pakënaqësinë për dy pikët e humbura nga Milani. Kroati veteran foli hapur për performancën e ekipit dhe theksoi se përgjegjësia për këtë rezultat bie plotësisht mbi kuqezinjtë.
“Në pjesën e parë duhej ta kishim mbyllur ndeshjen. Luajtëm mirë, por shënuam vetëm një gol. Pastaj e nisëm pjesën e dytë me lehtësi dhe ndodhi penalltia e më pas goli… kjo është futbolli. Edhe kur je më i fortë dhe e meriton fitoren, gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh Modric për DAZN dhe Sky Sport, me deklaratat e transmetuara nga MilanNews.
Me ton kritik dhe pa justifikime, Modric shtoi: “Është vetëm faji ynë që nuk fituam. Humbëm dy pikë shumë të rëndësishme. Këto ndeshje në shtëpi, me gjithë respektin për Pizën, duhet t’i fitosh. Jemi të zhgënjyer dhe të zemëruar, sepse e hodhëm poshtë një mundësi të madhe.”
Pavarësisht përpjekjeve për të thyer mbrojtjen agresive dhe markimin personal të kundërshtarëve, Milani nuk arriti të ruante epërsinë. Modric dhe Ricci u detyruan të ndërrojnë pozicionet për të çoroditur Pizën, një strategji që funksionoi pjesërisht.
“Ata luajtën me markim njeri për njeri, ndaj ndërruam pozicionet për të krijuar hapësira. Në pjesë të ndeshjes funksionoi, por duhet të bëjmë më mirë. Unë duhet të përshtatem dhe si skuadër duhet të luajmë me më shumë intensitet. Në shtëpi, ndeshje të tilla duhen mbyllur”, përfundoi Modric.
Milani pritet të rikthehet në stërvitje me synimin për një reagim të menjëhershëm, pasi, siç paralajmëroi Modric, humbja e pikëve të tilla mund të kushtojë rëndë në garën për titullin.