
Më 11 tetor, Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Serbinë në një ndeshje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
Ekipi i Sylvinhos nuk do të ketë vetëm një rival në fushë, por një sfidë që pasqyron edhe historinë dhe ndjenjat e tifozëve. Përveç aspektit sportiv, dueli në Leskovc ka një peshë të veçantë për fatet e Grupit “K”.
Pas pesë ndeshjeve të luajtura, Anglia mban kreun me 15 pikë, ndërsa Shqipëria renditet e dyta me 8 pikë. Serbia, me 7 pikë dhe një ndeshje më pak, ndodhet në vendin e tretë, ndërsa Letonia ka 4 pikë dhe Andorra mbetet pa pikë.

Në këtë kontekst, ndeshja në Leskovc konsiderohet si një “finale” për shqiptarët. Me Anglinë tashmë pothuajse e kualifikuar për fazën finale të Botërorit, beteja për vendin e dytë, që dërgon në play-off, do të jetë mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Një fitore në Serbi do të ishte hap i madh drejt kalimit më tej, pasi më pas Shqipëria do të luajë kundër Andorrës dhe më pas në Tiranë me Anglinë. Megjithatë, Serbia ka një ndeshje më shumë për të zhvilluar dhe mund të tejkalojë Shqipërinë në renditje, varësisht nga rezultatet.
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka theksuar në një intervistë televizive rëndësinë e këtij takimi edhe për të ardhmen e trajnerit.
“Nëse ne shkojmë në Kupën e Botës, trajneri qëndron. Në të kundërt, një dështim për të kualifikuar ekipin diskuton të ardhmen e trajnerit”, deklaroi Duka.