“Nokaut” financiar për Usyk – mund të humbasë miliona euro

Usyk
Usyk

Oleksandr Usyk rrezikon të humbasë një shumë të konsiderueshme nga pagesa e tij pas fitores me nokaut ndaj Daniel Dubois të shtunën mbrëma.

Boksieri 38-vjeçar hyri në duelin për titullin absolut në peshat e rënda me një rekord të pandalshëm, ndërsa britaniku Dubois kishte regjistruar dy humbje më parë – një ndaj Joe Joyce në vitin 2020 dhe tjetrën pikërisht ndaj Usykut në gusht të vitit 2023.

Superioriteti i Usykut u konfirmua në raundin e pestë, kur një goditje e fuqishme me dorën e majtë e detyroi Dubois të mos vazhdojë më ndeshjen.

Siç ndodh zakonisht në duelet e nivelit të lartë, shumë tifozë janë treguar të interesuar për përfitimet financiare të dy boksierëve. Sipas Daily Express, të dy pritet të arkëtojnë shifra marramendëse, me Usyk që do të fitojë rreth dy të tretat e totalit – afërsisht 100 milionë euro – ndërsa Dubois do të marrë rreth 50 milionë, pagesa më e madhe në karrierën e tij deri më tani.

Grushti “special” i Usykut – ukrainasi zbulon sekretin pas nokautit

Këto shifra janë shumë më të larta krahasuar me meçin e parë mes tyre, të zhvilluar në Poloni në vitin 2023, ku Usyk përfitoi rreth 4.4 milionë euro dhe Dubois mori më pak se gjysmën e kësaj shume.

Megjithatë, të dy sportistët pritet të humbasin një pjesë të madhe të këtyre përfitimeve për shkak të detyrimeve tatimore dhe tarifave të ndryshme.

The Mirror raporton se Daniel Dubois mund të humbasë deri në gjysmën e pagesës së tij përmes taksave dhe kontributeve të sigurimeve kombëtare, me një shumë që llogaritet rreth 23.6 milionë euro.

Ndërkohë, Usyk mund të jetë i detyruar të paguajë 3 deri në 4 milionë euro ndaj Bordit të Kontrollit të Boksit në Britani, ndërsa Dubois rreth 1.5 deri në 2 milionë euro në tarifa dhe komisione.

usyk
usyk