
Real Madrid ka bërë një ofertë befasuese për mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, duke ofruar dy lojtarë – Eduardo Camavinga dhe Rodrygo – plus 40 milionë euro, sipas raportimeve nga faqja spanjolle “Fichajes”.
Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, e ka identifikuar Rodrin si futbollistin ideal për të kontrolluar mesfushën dhe për të diktuar ritmin e lojës.
Megjithatë, Manchester City nuk ka ndërmend ta lëshojë yllin e tij, pasi Pep Guardiola e sheh Rodrin si një nga shtyllat kryesore të skuadrës.
Sezoni i kaluar tregoi rëndësinë e tij, pasi City pati vështirësi pas dëmtimit të Rodrit dhe përfundoi në vendin e tretë në Premier League, 13 pikë prapa Liverpoolit kampion.
Guardiola dëshiron të ndërtojë skuadrën rreth mesfushorit spanjoll për të synuar rikthimin te suksesi.
Megjithëse Real Madrid është i gatshëm të sakrifikojë dy prej lojtarëve të tij të rëndësishëm për këtë transferim, negociatat pritet të jenë të vështira pasi City nuk dëshiron të humbasë një prej lojtarëve kyç.