
Çfarë shkoi keq në rastin “Leon Avdullahu”? Pas një nisjeje të suksesshme të kualifikimeve për Kupën e Botës kundër Kosovës dhe Sllovenisë, Federata e Futbollit e Zvicrës ka nisur një hetim të brendshëm për çështjen e mesfushorit Leon Avdullahu.
Ish-futbollisti i Baselit, që së fundmi ka nënshkruar me Hoffenheimin, në sytë e FFK-së duhej të luante për Zvicrën – e jo kundër saj – në përballjen e fundit.
Megjithëse ka mbi 20 paraqitje me ekipet e moshave të Zvicrës dhe pas një vizite të presidentit të federatës, Peter Knabel, në Hoffenheim bashkë me përzgjedhësin Murat Yakin dhe ndihmësin e tij Davide Calla, lojtari vendosi t’i bashkohet Kosovës.
“Gabimi” i Federatës Zvicerane, sipas mediave vendore, daton që para gjashtë vitesh, kur Avdullahu kaloi nga U15 në U16 te Baseli. Atëkohë ai nuk u përfshi në programin elitar të FFK-së, i njohur si “Footuro”. Ky program përzgjedh një numër shumë të kufizuar lojtarësh të konsideruar “supertalente”, të cilët marrin mbështetje të plotë në zhvillim për gjashtë vite me radhë, ndërsa federata investon dhjetëra mijëra franga për secilin prej tyre.
Një element kyç i programit është edhe kontrata që futbollistët nënshkruajnë: gjatë kohës që janë pjesë e “Footuro”, ata angazhohen të mos përfaqësojnë kombëtare të tjera. Në rast shkeljeje, federata u vendos një gjobë me vlerë pesëshifrore, për të rikuperuar pjesërisht investimin.
“Qëllimi nuk është të detyrojmë dikë të luajë për Zvicrën nga frika e një gjobe. Ne duam që ata të identifikohen me vlerat tona, si në aspektin sportiv ashtu edhe personal”, deklaroi drejtori teknik i FFK-së, Patrick Bruggmann.
Ai shtoi se duhet të ketë vetëkritikë brenda institucionit: “Duhet të pyesim veten se si mund t’i identifikojmë sa më herët të gjithë lojtarët me potencial për kombëtaren A dhe t’i përfshijmë në ‘Footuro’”, tha Bruggmann, duke pranuar se Federata ka vend për përmirësim.
Rastet si ai i Avdullahut nuk janë të vetmet. Rreth 70 për qind e lojtarëve të përfaqësueses U të Zvicrës kanë shtetësi të dyfishtë, ndërsa në vend janë të licencuar futbollistë nga plot 197 shtete të ndryshme.
“Realiteti kërkon që ne të bëjmë më shumë përpjekje për futbollistët me shtetësi të dyfishtë sesa për ata që kanë vetëm pasaportë zvicerane. Por të qenit vazhdimisht pranë çdo talenti kërkon burime të mëdha njerëzore e financiare, të cilat federata nuk i ka”, përfundoi Bruggmann.