Lëndimi i Cedi Osman ka shkaktuar shqetësim në kampin turk përpara gjysmëfinales së Eurobasketit kundër Greqisë, që do të zhvillohet të premten në orën 20:00.
Osman, një nga lojtarët kyç të kombëtares dhe anëtar i Panathinaikosit, mbetet në dyshim për ndeshjen pas një dëmtimi në këmbë të pësuar në çerekfinalen kundër Polonisë.
Të enjten, lojtari me përvojë nuk mori pjesë në stërvitjen me ekipin, ndërsa trajneri Ergin Ataman konfirmoi se ai po i nënshtrohet terapisë dhe se vendimi për aktivizimin e tij do të merret vetëm pak para fillimit të takimit.
“Cedi ka marrë terapi, nuk ka stërvitur dhe gjendja e tij do të vlerësohet para ndeshjes”, tha Ataman, duke shtuar se fillimisht dyshohej për frakturë stresi, por mjekët e kanë përjashtuar këtë mundësi.
“Frika më e madhe ishte pikërisht një frakturë stresi, sepse kështu dukej. Për fat të mirë nuk është kështu. Ai ka inflamacion në kocka dhe nuk mund të mbështetet në këmbë. Nëse nuk është të paktën 50% gati, nuk duhet të luajë”, theksoi Ataman.
Osmani, 30-vjeçar i lindur në Ohër, është ndër lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses turke. Në këtë Eurobasket ai ka regjistruar mesatarisht 14.9 pikë, 2.4 kërcime dhe 1.6 asistime për ndeshje.