Pse Liridon Leci mund të ketë sukses – por edhe mund të dështojë

liridon leci
Liridon Leci

Duke parë komentet e shumta, adhuruesit e Lirisë nuk e kanë pritur mirë trajnerin e ri. Liridon Leci është një figurë interesante për studim – si për karakterin e tij, ashtu edhe për rolin e trajnerit.

Leci ka pasur një karrierë të mirë si futbollist, ndonëse shpesh është përfolur për sjelljen e tij gjatë kësaj periudhe. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai iu përkushtua analizës televizive, ku është shfaqur shpesh si brutal, arrogant, por në shumicën e rasteve ka tentuar të thotë të vërtetën.

Eh tash, sa di si trajner? Këtë mund t’ia lëmë vetëm kohës. Leci nuk ka shumë përvojë. Ai ka drejtuar dy herë ekipe në situata të vështira.

Fillimet e tij si trajner i ka pasur në grupmoshat e reja, kryesisht te U19. Te Flamurtari, në një krizë të thellë financiare dhe në fund të tabelës, ishte e pamundur që ai – apo kushdo tjetër – të shpëtonte një skuadër të “mbytur”.

Më pas erdhi Rahoveci, sezonin e kaluar. Misioni për mbijetesë ishte thuajse i pamundur. Skuadra e Lecit nuk u mposht lehtë, por duhej të fitonte shumë ndeshje për të siguruar qëndrimin. Megjithatë, sidomos ndaj skuadrave të forta me emër dhe cilësi, loja që prodhoi Rahoveci nën drejtimin e Lecit dha prova të forta se ai mund ta udhëheqë denjësisht çdo ekip në Ligën e Parë.

Por, Liria nuk është “çfarëdo” skuadër. Ka emër, ka investime, ka futbollistë të paguar mirë dhe me reputacion – dhe ka vetëm një cak: Superligën!

A është i denjë Leci për Lirinë?

Pa dyshim, 100 herë më shumë sesa Klodian Duro, i cili u përball me probleme të theksuara të personalitetit. Edhe Leci mund të ketë një problem të ngjashëm, nëse vazhdon të nxjerrë në pah karakterin e tij të vështirë. Liria ka futbollistë që mendojnë se janë yje – dhe me ta, arroganca mund të jetë problem serioz.

Një tjetër pikë e ndjeshme është qëndrimi i tij ndaj gjyqtarëve. Sjellja e pashtruar dhe protestat ndaj vendimeve janë një risk. Gjyqtarët nuk po i tolerojnë më këto sjellje, dhe kjo mund të prishë atmosferën, duke futur nervozizëm në ekip.

E fundit, as Leci dhe asnjë trajner tjetër nuk ka çfarë kërkon çdo javë nëpër studio televizive për disa honorarë. Nuk është e pranueshme që të analizosh të gjithë ligën e një vendi, ndërkohë që vjen në atë studio pas një humbjeje personale në fushë. Ky fenomen ndodh vetëm te ne – dhe është koha të ndryshojë njëherë e përgjithmonë.

Leci ka njohuri për të udhëhequr një skuadër pretendente. Jemi të bindur që skuadra e tij do të luftojë deri në fund. Por le t’ia lëmë kohës, duke nisur që nga ndeshja e nesërme e javës së 9-të, ndaj një kundërshtari të papërshtatshëm si Istogu.