
Skuadra kampione e Kosovës në hendboll, Rahoveci, përballet këtë fundjavë me një sfidë të rëndësishme ndërkombëtare në kuadër të raundit të dytë të Kupës Evropiane. “Vreshtarët” do të luajnë dy ndeshjet ndaj Dudelange të Luksemburgut, të premten dhe të shtunën, përkatësisht në ora 20:00 dhe 20:30.
Të dyja përballjet zhvillohen në Luksemburg, pasi palestra e Rahovecit është e zënë për shkak të zgjedhjeve lokale. Megjithatë, kjo nuk e zbeh ambicien e skuadrës kosovare, e cila synon kalimin tutje në garat evropiane.
Rahoveci ka debutuar në Evropë në edicionin 2022/23. Vitin e kaluar arriti ta eliminojë skuadrën belge Bocholt, për t’u ndalur më pas nga Minaur Baia Mare e Rumanisë në raundin e tretë. Këtë sezon, skuadra synon të shkojë edhe më larg.
Superliga e femrave – Nis xhiroja e tretë
Në hendbollin e femrave, të premten nis xhiroja e tretë e Superligës së Kosovës, me ndeshjen mes Samadrexhës dhe Ulpianës, që luhet nga ora 19:00 në palestrën “Afrim Bunjaku” në Samadrexhë.
Të shtunën janë në program dy përballje tjera:
-
Shqiponja (Gjakovë) – Kastrioti (Ferizaj), ora 15:00, në Junik
-
Ferizaj – Prishtina, ora 16:00, në Shtime
Xhiroja përmbyllet të hënën me derbin mes Istogut dhe Besës, që zhvillohet nga ora 19:00 në palestrën “Dresha” në Banjë.
Java e tretë premton përballje interesante, me skuadrat që po kërkojnë stabilitet në renditje dhe formë konkurruese në fazat e hershme të kampionatit.