Pas fitores historike 1-0 ndaj Serbisë në Leskovac, atmosfera në dhomat e zhveshjes së Kombëtares shqiptare ishte e zjarrtë.
Këngët, brohoritjet dhe festimet e lojtarëve, trajnerëve dhe stafit shoqërues vazhduan për minuta të tëra — një çlirim emocionesh pas një nate që do të mbetet gjatë në kujtesë.
Megjithatë, edhe në kulmin e gëzimit, kuqezinjtë nuk harruan të tregojnë kulturë dhe respekt. Para se të largoheshin nga stadiumi “Dubočica”, lojtarët dhe stafi pastruan dhomën e zhveshjes, duke e lënë atë në gjendje të rregullt, si shenjë mirënjohjeje dhe profesionalizmi.
Edhe pse në tavan u vërejt një dëmtim i vogël pas festimeve të zjarrta, nuk bëhet fjalë për ndonjë dëm serioz. Përkundrazi, skuadra la pas edhe një mesazh falënderues dhe respektues, duke dëshmuar se fitorja mund të shoqërohet me dinjitet.

Triumfi i Shqipërisë është festuar me entuziazëm të madh jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginë dhe Mal të Zi, por edhe në diasporë — në Gjermani, Zvicër, Itali e shumë vende të tjera evropiane.
Në çdo qytet ku valon flamuri kuqezi, shqiptarët kremtuan me krenari e pa incidente, duke treguar edhe një herë se fitorja e Kombëtares bashkon zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen.