Tabela: Prishtina në krye me dramë, Llapi kthen gjithçka në Malishevë

Prishtina - Ballkani
Prishtina - Ballkani

Prishtina ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Ballkanit, në një derbi të zbehur, të zhvilluar në kushte të pafavorshme për futboll cilësor. Ndeshja, e luajtur në një fushë të rënduar dhe pa transmetim televiziv, nuk përmbushi pritshmëritë për spektakël, por solli një epilog dramatik me golin vendimtar të Blend Baftiut në minutat shtesë. Ky sukses i jep Prishtinës jo vetëm kreun e tabelës, por edhe epërsinë morale ndaj një rivali direkt për titullin, ndërsa mbetet për të ardhur keq mënyra e papërgjegjshme si po trajtohet futbolli vendor nga institucionet përkatëse.

Tabela e Superligës - Java 8
Tabela e Superligës – Java 8

Prishtina 1-0 Ballkani

Baftiu 90’+

Prishtina mposht Ballkanin në një derbi të zbehur, por vendimtar për kreun

Një ndeshje që pritej të ishte pasqyrë e vërtetë e Superligës së Kosovës, derbi mes Prishtinës dhe Ballkanit, nuk solli spektaklin e shumëpritur. Ndryshimi i stadiumit dhe kushtet e rënduara të terrenit pas reshjeve e vështirësuan zhvillimin e lojës, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e saj. Megjithatë, Prishtina arriti të marrë një fitore të madhe, duke mposhtur kampionët në fuqi me rezultat 1:0, falë një goli të vonë të Blend Baftiut.

Pjesa e parë i takoi më shumë Ballkanit, që edhe pse pësoi humbjen e parë sezonale, vazhdon të tregojë se mbetet një nga skuadrat më të organizuara dhe me identitet loje në kampionat. Por, fusha e rënduar pas 20 minutash lojë nuk i lejoi asnjërën palë të zhvillonte futbollin e zakonshëm. Loja shpesh ngjante me një ndeshje të kategorive të ulëta, me vështirësi në kontrollin dhe qarkullimin e topit.

Në pjesën e dytë, Prishtina reagoi me disa zëvendësime që i dhanë gjallëri lojës. Veçanërisht u dallua Dren Zeqiri, i cili, pavarësisht moshës së re, po tregon personalitet në një klub me peshë si Prishtina. Ishte ai që nisi aksionin e golit, duke depërtuar në zonë dhe goditur fuqishëm, por portieri Iljazi ndali tentativën. Nga topi i kthyer përfitoi Blend Baftiu, i cili realizoi golin vendimtar.

Një moment kyç i takimit ishte përjashtimi me të kuq i Potokut pak para golit. Aksioni i Prishtinës erdhi pikërisht nga krahu që ai mbulonte, ndërsa zëvendësuesi Tolaj nuk arriti të mbyllte hapësirën. Potoku u ndëshkua për komunikim me tifozët, ndërkohë që gjatë gjithë lojës kishte vonuar rinisjet e topit dhe shpesh simulonte për të fituar kohë.

Me këtë fitore, Prishtina jo vetëm që i shkaktoi Ballkanit humbjen e parë të sezonit, por edhe u ngjit e vetme në krye të tabelës. Ishte një triumf ndaj një rivali direkt për titullin dhe një konfirmim i qartë i formës së lartë që po kalon skuadra kryeqytetase.

Shënim redaksional – një kritikë e merituar

Është për të ardhur keq mënyra si po trajtohet futbolli vendor nga institucionet përkatëse. Zhvendosja e ndeshjes pa asnjë përgjegjësi të qartë dhe mungesa e transmetimit televiziv nga Art Sport – pa as edhe një shpjegim të plotë – tregojnë për një qasje të papërgjegjshme ndaj tifozëve dhe vetë produktit që po ndërtohet me mund. Është paradoksale të krenohemi me “investime” në një fushë hibride në “Fadil Vokrri”, ndërsa ndeshje të këtij niveli zhvillohen në kushte të dënueshme për një elitë futbolli.

Futbolli ynë meriton më shumë – por mbi të gjitha, meriton njerëz që e trajtojnë me përkushtim e përgjegjësi.


Malisheva 1-2 Llapi

 Ferati 54’ – Gnapi 60′, Hyseni 85’

Llapi arriti përmbysjen e dytë radhazi dhe merr një fitore shumë të vlefshme në udhëtim ndaj Malishevës. Edhe pse vendasit kaluan të parët në epërsi me golin e Feratit, skuadra e Tahir Batatinës reagoi fuqishëm në pjesën e dytë me golat e Gnapit dhe Hysenit, duke marrë tri pikë që e ngjisin në kuotën e 9 pikëve.

Malisheva, që dikur ishte në krye të tabelës, tashmë ka rënë në vendin e pestë dhe ka pësuar 16 gola në 8 ndeshje – mbrojtja më e dobët në mesin e skuadrave të para.


Nesër (e diel, 5 tetor 2025, ora 15:00):

DukagjiniPrishtina e Re
Dukagjini është skuadra më e qetë në mes të renditjes me 13 pikë dhe një ndeshje më pak. Përballë do të ketë Prishtinën e Re, që ndodhet në zonën e rënies dhe vjen me pesë humbje nga shtatë ndeshje. Çdo rezultat përveç fitores do të ishte zhgënjyes për klinasit.

FerizajDrenica
Ferizaj ka vetëm 6 pikë dhe golavarazhin më të dobët në ligë (4:14). Përballë një Drenice në formë të mirë, që renditet e katërta me 11 pikë dhe një ndeshje më pak, sfida pritet të jetë e vështirë. Fitorja është e domosdoshme për vendasit nëse duan të shmangin izolimin në fundin e tabelës.

E hënë (6 tetor 2025, ora 15:00):

Derbi i Anamoravës: GjilaniDrita

Pa dyshim, ndeshja më e zjarrtë e javës. Tifozët presin më shumë nga të dyja skuadrat, pasi asnjëra nuk ka treguar qëndrueshmëri. Drita dhe Gjilani ndodhen në mesin e dytë të tabelës dhe një fitore në derbi do të kishte efekt të dyfishtë: moral dhe ngritje në renditje. Presim një duel të fortë, me atmosferë të nxehtë dhe shumë emocione.