
EuroBasket 2025 sjell një grup interesant lojtarësh të lindur në SHBA, të cilët përfaqësojnë kombëtare evropiane. Nga veteranë të natyralizuar deri te lojtarë me shtetësi të dyfishtë dhe lidhje familjare, këta basketbollistë sjellin në turne një përzierje të veçantë aftësish dhe historish personale, shkruan Basketnews, përcjellë Kërlaçki.
Turneu nis më 27 gusht dhe zhvillohet në katër vende pritëse: Letoni, Qipro, Finlandë dhe Poloni.
Ndërsa yjet evropianë do të jenë në qendër të vëmendjes, një tjetër rrëfim interesant zhvillohet paralelisht — ndikimi i lojtarëve të lindur në Amerikë që përfaqësojnë kombëtare të huaja.
Disa janë veteranë të natyralizuar që e kanë bërë një vend evropian shtëpinë e tyre, ndërsa të tjerë luajnë falë trashëgimisë apo shtetësisë së dyfishtë.
Në një turne ku priten përballje të forta dhe surpriza të mëdha, këta lojtarë amerikanë do të jenë thelbësorë për suksesin e përfaqësueseve të tyre. EuroBasket 2025 do të jetë një arenë ku identitetet bashkohen dhe talenti nuk njeh kufij.
Më poshtë, një vështrim mbi 11 emrat më të spikatur për EuroBasket 2025:
John Roberson (Bosnj dhe Hercegovina)
36-vjeçari nga Kansas nisi karrierën profesionale në vitin 2011 pas katër viteve në Texas Tech. Pa u përzgjedhur në draftin e NBA-së, ai luajti për 16 ekipe të ndryshme në 15 vite karrierë.
Ka qenë pjesë e klubeve të njohura si ASVEL dhe Strasbourg në Francë, dhe Galatasaray në Turqi.
Së fundmi, ai luajti për Esenler Erokspor në ligën e dytë turke, me mesatare 18.6 pikë dhe 5.4 asistime për ndeshje.
Ky do të jetë paraqitja e tij e dytë në EuroBasket me Bosnjën, ku në vitin 2022 shënoi 15 pikë mesatarisht për ndeshje.
Tyler Wayne Willis (Qipro)
Nga Madison, Wisconsin, Willis është forca fizike e Qipros në debutimin historik të saj në EuroBasket.
Ka debutuar profesionalisht me Keravnos në sezonin 2018–19, ku fitoi kampionatin dhe Kupën, si dhe u shpall MVP i Kupës.
Sezonin e kaluar luajti për BC Aris në Greqi, me mesatare 12.9 pikë dhe 7.2 kërcime.
Në kualifikime për EuroBasket, shënoi 14.8 pikë dhe 9.2 kërcime për ndeshje, duke u kthyer në shtyllën e skuadrës.
Kamar Baldwin (Gjeorgjia)
I shpejtë dhe i fuqishëm, Baldwin u natyralizua për të përfaqësuar Gjeorgjinë.
Luajti së fundmi për Baskonia, një nga ekipet elitare të EuroLigës.
Në kualifikime shënoi 22.5 pikë, 6.5 kërcime dhe 5.5 asistime për ndeshje, duke treguar lojë të gjithanshme.
Tyler Dorsey (Greqia)
Me origjinë nga Pasadena, Kaliforni, Dorsey ka përvojë në NBA dhe EuroLigë.
Përmes nënës greke, fitoi shtetësinë greke.
Ka luajtur për Olympiacos dhe skuadra si Atlanta Hawks, Memphis Grizzlies dhe Dallas Mavericks në NBA.
Greqia mbështet te ai për shënim, fleksibilitet dhe përvojë.
Darius Thompson (Italia)
Gardisti amerikan, i natyralizuar përmes martesës me një qytetare italiane, do të përfaqësojë Italinë në EuroBasket 2025.
Thompson luajti sezonin e fundit me Anadolu Efes në EuroLigë, ku regjistroi mesatare prej 9.5 pikë, 2 kërcime dhe 4.5 asistime për ndeshje.
Ai do të marrë një rol të rëndësishëm në dirigjimin e lojës, duke zëvendësuar Donte DiVincenzo, i cili mungon për shkak dëmtimi.
Me përvojën dhe qetësinë e tij si organizator, Thompson pritet të jetë një element vendimtar në prapavijën italiane.
Kyle Allman Jr. (Mali i Zi)
Allman luajti sezonin e fundit me Besiktas dhe firmosi me Turk Telekom.
Në EuroCup 2024–25 shënoi 10.6 pikë, 2.7 kërcime dhe 3.4 asistime për ndeshje.
Shquhet për shpejtësi dhe vizion në fushë, elementë kyç për Malin e Zi.
Jordan Loyd (Francë)
Nga Chicago, Loyd ka ndërtuar një karrierë të fortë në EuroLigë, sidomos me AS Monaco.
Në EuroLigë shënoi 9 pikë mesatarisht, ndërsa në kampionatin francez 12.3 pikë.
Loyd sjell ekuilibër në të dyja anët e fushës për Francën.
Travante Williams (Portugali)
Me origjinë nga Alaska, Williams është simboli i intensitetit dhe lidershipit në përfaqësuesen portugeze.
Pas disa sezonesh me Sporting CP, sezonin e fundit luajti në Rumani me CSU Oradea.
Në kualifikimet për EuroBasket, shënoi 13.8 pikë për ndeshje, duke qenë lojtari kyç i Portugalisë.
Shane Larkin (Turqi)
I lindur në Cincinnati, Larkin mori shtetësinë turke në 2020 dhe është kthyer në një nga yjet më të ndritur të basketbollit evropian.
Me Anadolu Efes fitoi dy herë radhazi EuroLigën.
Sezonin e fundit në EuroLigë: 11.7 pikë, 2.6 kërcime dhe 4.5 asistime për ndeshje.
Turqia e sheh si liderin e saj në këtë turne.
Sandro Mamukelashvili (Gjeorgjia)
I lindur në SHBA, por i rritur në Tbilisi, Mamukelashvili ka lidhje të thella me Gjeorgjinë.
Në sezonin 2024–25 në NBA luajti 61 ndeshje me mesatare 6.3 pikë dhe 3.1 asistime.
Shquhet për lojën e balancuar dhe përvojën e nivelit të lartë që e sjell në skuadrën gjeorgjiane.