
Kombëtarja e Shqipërisë tregoi karakter dhe organizim perfekt në triumfin historik 0-1 ndaj Serbisë në Leskovac. Të drejtuar nga përzgjedhësi Sylvinho, kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje solide në çdo repart dhe morën tre pikë me vlerë të madhe për kualifikueset e Botërorit 2026.
Në formacionin titullar që braziliani hodhi në fushë, spikatën dy lojtarë që janë rritur në Superligën shqiptare: Myrto Uzuni dhe Juljan Shehu. Edhe pse sot aktivizohen jashtë vendit, rrugëtimi i tyre drejt suksesit filloi pikërisht në elitën e futbollit shqiptar.
Uzuni bëri hapat e parë me Tomorin e Beratit, për të vijuar më pas me Apoloninë e Fierit dhe Laçin, ku shpërtheu si një nga talentet më premtues të kampionatit. Në anën tjetër, Juljan Shehu u formua te Partizani dhe Internacionali, për t’u rikthyer më pas në Superiore, ku la gjurmë me Kastriotin dhe Laçin, përpara se të transferohej jashtë vendit.
Në sfidën e djeshme, të dy treguan maturi dhe personalitet në një ndeshje me tension të lartë. Ata ishin pjesë e një grupi që luajti me disiplinë taktike dhe përkushtim maksimal në një stadium armiqësor, duke përballuar me sukses presionin dhe emocionet e përballjes.
Nga stoli u aktivizua edhe Mirlind Daku, i cili në të kaluarën ka luajtur si i huazuar te Kukësi, duke kontribuar në zhvillimin e karrierës së tij.
Në krahun tjetër, dy lojtarë të tjerë që luajnë aktualisht në Abissnet Superiore ishin pjesë e stolit të rezervave: Mario Dajsinani i Egnatias dhe Nasër Aliji i Dinamos.
Triumfi ndaj Serbisë, përveç rëndësisë historike, tregoi edhe një herë se kampionati shqiptar vazhdon të prodhojë talente që me punë dhe përkushtim arrijnë deri në majat e futbollit ndërkombëtar.