Kampionia e Kosovës, Trepça, e ka përfunduar aventurën në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pa arritur asnjë fitore. Në ndeshjen e fundit të grupit, mitrovicasit u mposhtën nga Anwil në Poloni me rezultat 96:78.
Ndeshja u vendos që në pjesën e parë, ku skuadra vendase krijoi epërsi të konsiderueshme prej 17 pikësh (53:36). Pjesa e dytë ishte më e baraspeshuar, por nuk mjaftoi për “Xehetarët” që të riktheheshin në lojë.
Periudhat përfunduan me rezultatet: 21:17, 32:19, 21:22 dhe 22:20 në favor të polakëve. Trepça u përball në një grup të vështirë dhe e mbylli me gjashtë humbje në po aq ndeshje, ndërsa Anwil u rendit me tri fitore dhe tri humbje.
Në aspektin individual, më efikas për Trepçën ishte Chad Brown me 19 pikë, i ndjekur nga JaCori Payne me 18 dhe Mikaile Tmushiç me 17.
Ndeshja vendimtare për kreun e grupit do të luhet mes Braunschweig dhe PAOK-ut.