Kombëtarja e Turqisë në volejboll për femra ka shkruar historinë në Kampionatin Botëror “FIVB 2025”, duke u kualifikuar për herë të parë në gjysmëfinale, pas një fitoreje mbresëlënëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në sfidën e zhvilluar në Bangkok, europianet triumfuan me rezultatin 3-1 (25-14, 22-25, 25-14, 25-23), në një ndeshje ku shkëlqyen Ebrar Karakurt dhe Melissa Vargas, të cilat së bashku realizuan 44 pikë. Karakurt udhëhoqi skuadrën me 23 pikë (20 goditje të suksesshme, 3 bllokime), ndërsa Vargas shtoi 21 pikë (18 goditje, 3 ace). Kapitenia Eda Erdem kontribuoi gjithashtu me 13 pikë, përfshirë 7 bllokime.
“Nuk është vetëm një fitore, është një ditë historike për ne,” tha Karakurt pas ndeshjes. “Jemi për herë të parë në Final Four të një Botërori dhe jemi shumë krenare. Por nuk ndalet këtu – duam të shkojmë deri në fund.”
Turqia do të përballet me Japoninë në gjysmëfinale të shtunën, ora 15:30 me orën lokale (08:30 GMT), ndërsa në gjysmëfinalen tjetër do të përplasen Brazili dhe Italia.
Për SHBA-në, Sarah Franklin ishte më efikasja me 12 pikë, ndërsa Dana Rettke, Avery Skinner dhe Stephanie Samedy realizuan nga 11 pikë secila. Megjithë eliminimin, skuadra amerikane tregoi përmirësim dhe luftë, pavarësisht rinovimit të thellë që po kalon.
Në statistika, Turqia dominoi në goditje (58-41) dhe bllokime (19-11), ndërsa SHBA-të ishin më të sakta në shërbim (6 ace kundrejt 3 të Turqisë). Gabimet ishin të barabarta në të dyja kampet.