Vinicius Junior: Kështu është El Clasico – ndodhin shumë gjëra brenda dhe jashtë fushës

Pas përfshirjes në skenat e tensionuara që pasuan përfundimin e El Clasicos të së dielës, Vinicius Junior u ka bërë thirrje tifozëve të Real Madridit për qetësi dhe unitet, pas fitores 2-1 ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”.

Sulmuesi brazilian ishte një nga disa lojtarë të Realit që u përplasën me Lamine Yamal pas përfundimit të ndeshjes, në një situatë të ndezur pas komenteve të diskutueshme të talentit të ri të Barcelonës para ndeshjes. Megjithatë, Vinicius u përpoq të qetësonte situatën përmes një mesazhi drejtuar tifozëve.

“Një mesazh për të gjithë madrilenët, veçanërisht ata që erdhën në Bernabeu dhe na mbështetën me pasion. Kështu është Clasico – ndodhin shumë gjëra në fushë dhe jashtë saj”, – u shpreh Vinicius pas ndeshjes.

25-vjeçari pranoi se emocionet në një rivalitet kaq të madh janë të pashmangshme, por theksoi se nuk kishte asnjë qëllim për të ofenduar askënd.

“Përpiqemi të ruajmë ekuilibrin, por kjo nuk është gjithmonë e mundur. Nuk donim të ofendonim askënd – as lojtarët e rinj, as tifozët. E dimë se kur futemi në fushë, duhet të bëjmë rolin tonë, dhe sot kështu ndodhi. Hala Madrid!”

Vinicius u zëvendësua në mes të pjesës së dytë dhe u duk i irrituar teksa largohej nga fusha, por më pas sqaroi se reagimi i tij vinte nga intensiteti i ndeshjes dhe jo për ndonjë çështje personale.

Deklaratat e tij erdhën pasi edhe kapiteni Dani Carvajal dhe portieri Thibaut Courtois patën një përplasje me Yamal në fund të ndeshjes, çka detyroi gjyqtarin Juan Martínez Munuera të ndërhynte për të qetësuar palët.

Fitorja, e siguruar falë golave të Kylian Mbappé dhe Jude Bellingham, e ngjit Real Madridin pesë pikë përpara Barcelonës në krye të La Ligës, duke e çuar në gjashtë numrin e ndeshjeve pa humbje në shtëpi këtë sezon.