HNK Vukovar 1991 ka ndërprerë bashkëpunimin me portierin 18-vjeçar Srgjan Nediç, i cili ishte planifikuar të luante ndaj Dinamos. Arsyeja? Klubi u njoftua se ai ndiqte dhe pëlqente faqe me përmbajtje çetnike në Instagram.
Faqet që ai kishte pëlqyer mbanin emra si “Četnici 1941” dhe përmbanin përshkrime të shkruara në çirilicë si: “Faqe zyrtare e patriotizmit”, “Patriotizëm dhe dashuri për mbretin dhe atdheun. Kosova është Serbi” – përmbajtje kjo e papranueshme për klubin nga Vukovari, lajmëron Index, përcjellë Kërlaçki.
Pas verifikimit të informacioneve, HNK Vukovar 1991 reagoi me shpejtësi dhe ndërpreu kontratën me lojtarin.
Reagimi i klubit:
“HNK Vukovar 1991 njofton publikun se menjëherë pas marrjes së informacionit për sjellje që nuk përputhen me vlerat e klubit, ka ndërprerë kontratën me Srđan Nedić. Ne mbështetemi te vlerat e respektit, përgjegjësisë dhe integritetit, dhe besojmë se sjellje e tillë është e papranueshme dhe nuk përfaqëson qëndrimet tona.”
“Kërkojmë falje te tifozët tanë, partnerët dhe opinioni publik që nuk kemi vepruar më herët për të mbrojtur dinjitetin dhe reputacionin e klubit. Edhe pse kërkojmë sjellje profesionale nga çdo lojtar, nuk kemi kontroll të drejtpërdrejtë mbi aktivitetet e tyre personale jashtë fushës.”
“HNK Vukovar 1991 mbetet i palëkundur në vlerat e tij dhe do të reagojë ashpër ndaj çdo rasti që i cenon ato”.
Në mungesë të portierit Antonio Xhakoviç – i cili do të mungojë për disa muaj për shkak të një lëndimi – ishte planifikuar që Nediç të luante ndaj Dinamos. Pas incidentit, kjo zgjidhje nuk vjen më në konsideratë.
Trajneri Gordon Schildenfeld ka konfirmuar se Marino Bulat do të jetë zgjedhja e parë për portën në sfidën ndaj Dinamos.