
Federata e Futbollit të Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka ndarë çmimin tradicional “Ylli i Javës” për më të mirin e javës së katërt në elitën e futbollit kosovar.
Këtë herë, për të dytën javë radhazi, vlerësimi i është dhënë sulmuesit të FC Ballkanit, Valentin Serebe, pas paraqitjes së shkëlqyer në fitoren 3:0 ndaj FC Drenicës.
Serebe ishte vendimtar në këtë ndeshje, duke realizuar hat-trick dhe duke siguruar tre pikët për ekipin nga Suhareka. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, i përbërë nga Shyqiri Salihu, Bujar Asllani dhe Skender Vllahiu.
Pas marrjes së çmimit, Serebe u shpreh i lumtur për këtë vlerësim:
“Ndeshja kundër Drenicës ishte e vështirë, por falë Zotit arritëm të fitojmë. Përgatitjet kishin nisur që në fillim të javës dhe gjithçka shkoi në mënyrën më të mirë, qoftë nga stafi, qoftë në aspektin taktik. Të gjithë dhamë maksimumin dhe arritëm qëllimin tonë – fitoren”.
Ai shtoi se skuadra tashmë është e përqendruar te ndeshjet e ardhshme:
“Do të punojmë edhe më shumë, sepse na presin muaj të vështirë. Qëllimi ynë është i qartë – të fitojmë çdo ndeshje dhe të mbyllim kampionatin si kampionë. Jam shumë i lumtur për këtë çmim dhe dua të falënderoj shokët e ekipit, trajnerët, drejtuesit dhe tifozët tanë të mrekullueshëm për mbështetjen. Do të vazhdojmë të japim gjithmonë më të mirën.”
https://kerlacki.com/valentin-serebe-sensacioni-i-ballkanit-het-trik-dhe-start-i-fuqishem-ne-superlige/