
Prishtina ka realizuar një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv, duke nënshkruar me sulmuesin 21-vjeçar portugez, Luis Mota. Lojtari vjen nga ekipi i dytë i Portos dhe është zyrtarizuar sot nga klubi kryeqytetas.
Kërlaçki mbrëmë kishte lajm ekskluziv kalimin e Mota-s i cili karrierën ka nisur te Belenenses, ndërsa më pas ka luajtur për B-SAD dhe së fundmi për Porto B. Sipas të dhënave nga Transfermarkt, vlera e tij aktuale në treg është 125 mijë euro. Ai njihet si një sulmues klasik qendre, me instinkt të zhvilluar për gol dhe lëvizje të sakta brenda zonës.
Në karrierën e tij si profesionist, Mota ka zhvilluar 63 ndeshje dhe ka realizuar 20 gola – statistika të mira për një lojtar të moshës së tij. Pas zyrtarizimit, ai është bashkuar menjëherë me ekipin dhe ka nisur stërvitjet. Prania e tij në stadiumin “Fadil Vokrri” përpara sfidës ndaj Sheriff Tiraspolit tregon se ai është pjesë e planeve të stafit për ndeshjet në Evropë.
Me këtë lëvizje, Prishtina shton thellësinë në sulm, ku tashmë posedon edhe Alban Sillovën dhe Leotrim Kryeziun. Mota pritet të sjellë konkurrencë të shëndoshë dhe alternativa konkrete në fazën sulmuese.
🔴EKSKLUZIVE: Prishtina përforcon sulmin nga Portugalia – firmos me sulmuesin që ishte te Porto